1533 maturantë nisin sot rrugëtimin e provimeve të Matursë Shtetërore në Shkodër. Në 7 qendra provimi, në territorin e Bashkisë Shkodër, ata do të japin provimin e gjuhëve të huaja anglisht, italisht dhe frëngjisht.
Janë 23 gjimaze publike, private dhe shkolla profesionale, ndërsa në procesin e ditës së sotme janë angazhuar 140 mësues, përfshirë drejtorë dhe nëndrejtorë të shkollave.
Në vigjilje të nisjes së provimeve të Maturës Shtetërore, ka përcjellë mesazhin e saj përmes rrjeteve sociale dhe drejtorja e ZVAP Shkodër Brisela Kadia.
“Të dashur maturantë,
Ne jemi gati.
Nesër (sot) rifillojmë të gjithë së bashku një proçes që është një moment i rëndësishëm në jetën tuaj – Provimet e Maturës Shtetërore.
Ky është një hap i madh që ju afron edhe më shumë drejt realizimit të ëndrrave dhe ambicieve tuaja. Ëndrra dhe ambicie për të cilat ju keni punuar me përkushtim gjatë gjithë viteve tuaja të shkollimit.
Përballuni me besim dhe qetësi, me këto provime. Jeni përgatitur me kujdes dhe këmbëngulje, dhe tani është momenti të tregoni gjithë dijet dhe aftësitë tuaja.
Potenciali juaj është ai tek i cili ne kemi besim. Besim që na forcon bindjen se do të arrini rezultate të shkëlqyera.
Qoftë ky moment një hap i suksesshëm drejt një të ardhmeje të ndritur dhe të mbushur me arritje të mëdha! Suksese në provimet e maturës shtetërore 2024!”, shkruan Kadia në mesazhin e saj.