Ka vite që në Bashkinë Shkodër flitet për mungesë fondesh, mungesa të cilat detyrimisht janë përkthyer në mungesë investimesh për bashkinë më të madhe në veri të vendit, por asnjëherë nuk është folur për të ardhura që ky institucion mund ti kishte shtuar në arkën e të ardhurave.
Në jo pak raste, është folur për mungesë investimesh nga qeverisja qendrore, sidomos pas vitit 2013. Por megjithatë, faktet janë kokëforta edhe lidhur me këtë aspekt të qeverisjes vendore.
ShkodraWeb ka siguruar një dokument që flet për qartë për një “gropë” të madhe të të ardhurave të veta të Bashkisë Shkodër nga mos vjelja e detyrimeve ndër vite.
Në bazë të shkresës, Bashkisë Shkodër, i mungojnë mbi 1.2 miliard lekë kjo e përllogaritur nga viti 2006-2022, për detyrime të papaguara ndaj Bashkisë Shkodër. Në dollarë, janë rreth 12 milion që mungojnë në financat e qeverisjes vendore të Shkodrës.
Një shifër e konsiderueshme që flet qartë edhe për mungesën e vëmendjes nga ky institucion për të mbledhur të ardhurat e veta të cilat përkthehen në investime për qytetarët.
Po cilat janë drejtoritë apo institucionet që kanë ndikuar më shumë në krijimin e kësaj “grope” kolosale duke patur parasysh buxhetet e qeverisjes vendore? Mos vjelja e gjobave të IMT, është zëri më shumën më të madhe në “gropën” e të ardhurave nga bashkia e Shkodrës me 453,707,472 lekë, e cila pasohet më pas me detyrimet në infrastrukturë 254,935,580, për të vijuar me Tarifë pastrami 128,540,569 lekë dhe Sekuestrime me 183,640,028 lekë.