Të nisesh nga Velipoja në orën 19.15 dhe të arrin në qytetin e Shkodrës në orën 22.00! Distanca është rreth 33 km, rruga mjaft e mirë? Si shpjegohet?! Këto pyetje që mbase duhet të marrin përgjigje nga dikush, kanë qenë të shumta ditën e sotme nga pushues që zgjodhën Velipojën për të mposhtur të nxehtin e kësaj të diele.
Kohëzgjatja e udhëtimit nga qyteti në Velipojë, rreth 1 orë e 30 minuta, të duket “fushë me lule”. Gjithsej, të paktën këtë të dielë, për të shijuar plazhin e Velipojës, duhet të llogarisësh më shumë se 5 orë udhëtim, qëndrim në makinë, në jo pak raste edhe “në pishë të diellit” e pa kondicioner sepse sifurisht, nafta kushton. Në jo pak raste, radha krijohet nga dëshira e disa pushuesve për të shijuar akulloret në qendër. pranë ndertesës së ish- komunës.
Sigurisht, dikush duhet të shqetësohet, të marrë përgjegjësi për këtë situatë aspak normale. Fluksi i pushuesve në Velipojë dihet që pa nisur sezoni. Policia e Shtetit, përmes sektorit të qarkullimit rrugor, duhet ta ketë në fokus këtë aks. Natyrisht, duhen shtuar sherbimet, duhet disiplinuar qarkullimi, me kushtin që të pengohen edhe adhuruesit e akulloreve.
Janë të shumtë qytetarët që janë ankuar gjatë gjithë ditës së sotme në ShkodraWeb. Mundësia jonë e vetme është të ngrejmë problemet e qytetarëve, duke u dhënë zë shqetësimeve. Por edhe të paralajmërojmë “guximtarët” që zgjedhin Velipojën në fundjavë sidomos. Parashikoni udhëtim jo më pak se 5 orë nga qyteti në Velipojë dhe anasjelltas. Gjithmonë nëse këto rreshta bien në veshë të shurdhër ose nuk ka ka reagim të shpejtë dhe efikas. /ShkodraWeb/