Plasa tuj e kërkue në arkivin tim personal nji fotografi në të cilën kam dalë me Enver Hoxhën kur isha femijë! Kur pat ardhë në Shkodër për vizitë zyrtare udhëheqësi rus (sovjetik) Nikita Hrushov, në vitin 1959, unë isha femijë, pionier e më kishin caktue me i dhanë nji buqetë me lule shokut Enver!
Së bashku me mue ishte edhe nji vajzë e moshës time, nji vajzë e bukur, me bishtaleca, emnin e së ciles nuk e kujtoj! Asaj i kishin thanë me ia dhanë buqetën me lule Hrushovit. Une qeshë ma me fat sepse me ra në hise shoku Enver!
…Makina e zbulueme, nji makinë e madhe, e bukur, e zezë por e shndritshme, në te cilën qëndronin në kambë dy udhëheqesit duke përshendetë popullin që brohoriste në të dyja anët e rrugës, u ndal para Komitetit Ekzekutiv, sot Bashkia e Shkodrës, dhe ne të dy femijët “fluturuem” në drejtim të saj.
Ndërkohë udhëheqësit kishin zbritë nga makina. Unë iu afrova shokut Enver dhe ia drejtova tufën me lule. Ai u përkul, më puthi ndër të dyja faqet e më tha lehtë në vesh:
– Jo mua, jo mua…atij, dhe hodhi shikimin kah Hrushovi.
Unë, si femijë “trim” që kam qenë, i thashë me guxim:
– Mue më kanë caktue me ju a dhanë ju xhaxhi Enver.
Ai buzëqeshi , me kapi “ambël” prej krahu e më drejtoi kah Hrushovi. Unë, si fëmijë i “squet” që isha, e kuptova që shoku Enver donte ta respektonte mikun e tij dhe shkova drejt e tek ai i cili ishte i shkurtë me trup, gati sa unë dhe ishte tullac. Prandaj, siç dukej, ai mbante në krye nji borsalino ngjyrë krem. Hrushovi e mori tufën e luleve por nuk më puthi. Nejse…unë e bana timen, unë e zbatova urdhnin e Komandantit!
…Duke u kthye në shtëpi, që e kisha afër te Kafja e Madhe, nji grue e cila po ecte përkrah meje e që unë nuk e njifja, m’i përkedheli kaçurrelat e me tha:
– Djali i Hasanit, mos i laj faqet për nja nji javë se t’i ka puthë shoku Enver. A more vesht, Ymer?
Unë u çudita se kush ishte ajo grue që ma ditka emnin e ma njifka edhe babën?! Mandej ajo tha:
– M’i ban selam zojës Hasije, nga Xhemilja, e m’i shpupurishi flokët që i kisha krehë me aq kujdes atë ditë e u largue.
Nejse…shkova në shtepi dhe ua tregova “inxhe për inxhe” prindërve të mi atë “histori”, të cilën ata e pelqyen sepse djali i tyne i kishte nderue atë ditë. Mbas pak dola me luejt top me shokët tek oborri i shkollës “11 Janari”, i cili nuk e kishte as edhe nji fije bari, vec gur, zhavor e pluhun! Kur u ktheva në shtëpi, pak para se të errej, nana më pa se si isha ba në surrat tanë vija-vija prej djersës e pluhunit dhe bërtiti:
– Pu, pu pu…çka je ba kështu more bir. Pa, pa,pa…hajt, njitash shpejt me hi e me u la’. E ke ujin e nxehtë gati…qe edhe safën e fërkoju mirë.
Unë “protestova” me të drejtë:
– Jo, moj nanë, jo…nuk duhet me u la për nji javë, nuk duhet, i thashë unë serbes.
– Po pse? Çka të ka gjetë, tha im amë me çudi. A e shef se si je ba! Hajt, futu shpejt thashë…merr edhe ndrresat.
– Po, jo moj nane, jo…nuk duhet me u la se me ka puthë shoku Enver në faqe e nuk ban me i la për nji javë. Kështu më tha sot në rrugë nji shoqja e jote e cila njifte edhe babën. Xhemile e kishte emnin.
Nana ime e mirë, qeshi me të madhe e më tha:
– Hajt, hajt…laju por mos i fërko faqet me shpalcë, vetëm me ujë e me sapun.
– Mirë, moj nanë, mirë…ti e di ma mirë se unë.
…Nuk ishte kush me mue ato ditë të cilat nuk zgjatën nji javë por vetëm tre ditë por komentet e Facebook-ut të atëhershëm baheshin jo si sot me shkrim apo me meme por gojë me gojë e me thashetheme!
P.S. Me siguri ajo fotografi duhet të ekzistojë në Fototekën “Marubi” në Shkodër. Do ta kërkoj e do të ju a tregoj. /Publikuar në Facebook nga Ymer BALA, aktor, “Mjeshtër i Madh”/