Nga Besi Bekteshi
Prej kohësh ishte në fakt diskutuar fraza e famshme sidomos në italisht, e lutjes themelore katoliko romane që thoshte «Non c’indurre in tentazione», duke u bërë «Non abbandonarci alla tentazione»! Pra sigurisht jo – mos na ço në tundim, por “mos na ler të biem në tundim”! Natyrisht kështu thuhet edhe më bukur, edhe në shqip! Kështu e kishin dhe padyshim shumë site katolike në faqet shqip! Dakord, por një korrigjim të tillë e bëri zyrtarisht dhe botërisht Papa Françeku, në një intervistë ku pranoi gabimin në përkthim apo jo interpretimin e mirë të lutjes themelore të botës katolike! Papa thotë se dhe “francezët e kanë ndërruar” por më tepër se sa kaq Papa Bergoglio sqaron se – jam unë që bie apo rrëzohem, kurse një baba (thotë për zotin, por sigurisht dhe babain tokësor) – nuk është ai që më drejton të rrëzohem apo bie, për të parë pastaj si kam rënë ose rrëzuar! Një baba nuk e bën kurrë këtë, një baba ndihmon që të ngrihesh, çohesh shpejt! Ai që të drejton të rrëzohesh është Satanai, Shejtani, Dreqi e kjo është zyra apo detyra e tij!
Unë sigurisht nuk e kam fjalën te klerikalizmi dhe modeli religjionar në këtë rast, por sidomos te gabimi kur te Zoti apo te morali “luhet gabim” ose akoma më shumë në faj! Imagjinoni sa në faj është vetëm interpretimi i një lutje themelore për besimtarët ku “Zoti të çon në tundim” a thua se prova e fajit të njerëzve, apo vetë faji janë një “kreativitet i Zotit”! A mund të ketë më keq sa kaq?! A tani po mundohem të ulem në tokën tonë, për të kuptuar sjelljen e babait që nuk drejton nga tundimi, korrupsioni, vjedhja, gënjeshtra, mashtrimi që fëmija apo djali dhe vajza të rrëzohen në të tilla tundime! Lutjet religjionare sigurisht në këto drejtime janë moralisht shumë të qarta dhe i kemi kudo në të krishterë dhe islam, apo dhe besime të tjera monoteiste dhe një pjesë e moralit sigurisht prej tyre ka ardhur por…! Por situata e sidomos sotme, është pikërisht me metodën e babait që të shtyn në tundim! Si kjo gjë?
Babai në shtëpi, babai në rrugë, babai në zyra, babai në shkolla, babai në kulturë, babai në sport, babai në bujqësi, babai në tregti, babai në banka, babai në transport, babai në turizëm, babai në media, babai në ushtri etj., etj! E kuptoni sa baballarë dhe pastaj shtet e pronarë që sillen si baballarë – kanë shqiptarët që për fatin e keq të shtyjnë në tundim! Të parët janë baballarët e kombit që janë jo vetëm “shtytës në tundim, por tunduesit dhe të rrëzuarit më të mëdhenj të tundimit” në korrupsion dhe mashtrim politik dhe financiar! Po ku ka më “baballarë” të mirë për tundim dhe vëllezër të satanait – se sa gjykatës dhe prokurorë që jetën e tyre profesionale e kanë një tundim të përhershëm fitimprurës, në çdo orë dhe minutë! Nuk flas për të gjithë, por gjithsesi ku ka më tundues dhe shtytës më të jashtëzakonshëm në tundim problematik si drejtues partiak, mashtrues votash, vjedhës fondesh, grabitës postesh dhe vendesh të pamerituara me rrëzimet e mëdha në tundim që bëjnë! A ka më baballarë satanikë të tillë individë që janë kryetar partie dhe me dijeni lejojnë fonde korrupsioni dhe paraje të pistë për të bërë fushatat “demokratike” elektorale! Çfarë shejtan baballarë janë këto farë burrash dhe grash – të cilët kanë prishur moralin kaq shumë, sa që morali i vërtetë ka dalë një gjë për tu luftuar! Po pra – sepse po të jesh me “mos na lër të biem në tundim” do të thotë të jetosh i varfër dhe i ndershëm! Baballarë që të shtyjnë në tundim janë pedagogë që kërkojnë lek për notën, mjek që kërkojnë lek për detyrën e tyre themelore shërimin dhe kurimin! Baballarët që shtyjnë në tundim – të duan të pasur dhe të bukur! Po po dhe të bukur, pavarësisht se je tepër i shëmtuar brenda. Të shtyjnë në tundim lekësh dhe janë të shtyrë ose vetështyrë për të bërë pasurimin e jashtëligjshëm! Rrëzimi në tundim, ka jo thjesht moralin personal, por dhe atë shoqëror! E tashmë rrëzimi në tundim ka kulmin e “moralit të mirë” dhe kur një baba thotë prerë dhe qartë “mos u rrëzo” që përkthehet mos vidh apo mos abuzo – djalli me veshjen e tij të politikanit, drejtuesit, mjekut, pedagogut, zyrtarit, doganierit, tatimorit, policit, gjyqtarit, prokurorit, mësuesit, të ndihmon të rrëzohesh akoma më shumë në tundim!
Sepse dhe puna e babait të vërtetë në shtëpi, është e mangët dhe nganjëherë e devijuar nga morali i vërtetë! Një baba që rrëzimin në korrupsion e di për diçka të mirë dhe për të bërë pasuri – kështu e mëson dhe të birin dhe i “bëhet dhe qejfi” pse ai është i “zoti” si i rrëzuar në tundim! Kjo ka prishur dhe bazamentin e familjes së ndershme, me kulturën e të drejtës dhe sinqertës për ndërgjegje të pastër! Familja sa vjen dita e më shumë, po kthehet në hotel restorant dhe jo vend ku fëmijët marrin dhe edukatën e “mos rrëzimit në tundim” për vjedhjen dhe korrupsionin apo dhe veset e këqija në moralin e “satanait” apo dhe babait të korruptuar, që e di veten të “përshtatur me kohën e sotme”!
Kaq shumë, sa nganjëherë, i thuhet djalit që të “sillet si gjithë bota” dhe kur është e qartë se “bota” po sillet në rrëzim nga tundimi dhe në moral të keq! Jemi sot një shoqëri e rrëzuar në moral të keq, në një tundim pasurimi pa kriter moral, i shfrenuar, që krijon pastaj papunësinë, pa qytetërimin dhe sidomos shtetin e së drejtës në mungesë, bashkë me ligjet e pa zbatuara! Nuk po analizojmë si duhet dhe kushtet shoqërore në prishjen pothuaj absolute të kohezionit shoqëror! Nuk po analizojnë mësimet e krimbura të një kapitalizmi pervers dhe të edukuar keq, nga baballarët kryeministra dhe politikanë të këtij vendi që “i pari babai të shtyn në tentacion apo tundim”! Shkatërruam moralin me vjedhjet e tundimit si nga morali prishur dhe mungesa – në socializmin e dështuar të PPSH-së dhe tani shkatërruam moralin fare dhe me kapitalizmin e pasuesve të po asaj partie në transformuar në shejtanë të “demokracisë dhe lirisë” në Shqipëri!
Qytetërimi si të jesh besimtar si të mos jesh i tillë – asaj që është e keqe, jo morale, antiligjore dhe për më tepër një vepër e “djallit” nuk mund ta transformojë në moral pozitiv dhe “domen” për të gjithë?!
Djallëzitë dhe çmoralizmi, nuk mund të jenë “zotësi” politike dhe shoqërore?! Po pra po – por ne kështu (një pjesë e madhe e shoqërisë) po i trumbetojmë dhe po i transformojmë! E kjo është më e keqja e mundshme që po na ndodh!