Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte kryesisht të paqëndrueshme atmosferike si pasojë e periferisë së një stuhie të fortë që ka përfshirë jo vetëm vendin tonë por edhe një pjesë të madhe të europës.
Në këtë mënyrë për ditën e Shtunë nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mesditës moti parashikohet me vranësira të dendura e reshje shiu të vazhdueshme dhe intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave.
Në periudha afatshkurtra reshjet do të jenë me intensitet të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive të forta shoqëruar me shkarkesa të forta elektrike dhe breshër. Pas mesdite mot me alternime kthjellimesh e vranësirash me këto të fundit të cilat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët apo shtrëngata afatshkurtra.
Për ditën e Diel moti nis me alternime kthjellimesh e vranësirash me këto të fundit më tepër të theksuara në veriperëndim dhe jugperëndim. Në orët e pasdites në zonën e veriperëndimit dhe jugperëndimit reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave.
Vlen për tu theksuar se për ditën e Diel pritet erë tepër intensive dhe problematike kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore. Era pritet të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut dhe shpejtësi mesatare 3-12m/s ndërsa me rrahje era intensive 15-25m/s shoqëruar me dallgëzim të lartë në dete të forcës 5-7 ballë.