Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se këtë javë që sapo kemi nisur vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme dhe pak më të freskët, për shkak të tërheqjes së Anticiklonit Afrikan dhe ai i Azoreve. Orët me diell nuk do të mungojnë.
Sipas njoftimit të SHMU moti pritet të jetë fillimisht i kthjellët si dhe vranësira në shtim nga orët e mesditës dhe pasdites, kryesisht në relievet kodrinore – malore të vendit. Vranësirat do të pasohen nga reshje e shiu të cilat pritet të jenë në formën e shtrëngatave afatshkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike e lokalisht breshër.
Përjashtim bënë dita e premte ku moti pritet të jetë i kthjellët e me vranësira të pakta deri në mesatare nga orët e mesditës përgjatë relieveve të larta malore. Vranësirat pritet të shoqërohen me reshje shiu të izoluara dhe me intensitet të ulët.
Era me drejtim kryesor veriperëndim – juglindje me shpejtësi mesatare 2-9 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e lugina si dhe në momentin e zhvillimit të vranësirave era hera-herës fiton shpejtësi 10-14m/sek, duke bërë që valëzimi në dete të jetë i forcës 1-3 ballë.