Para vitit 1990, ishte në qarkullim një sapun i njohur me emrin “Venus”. Për kohën, ishte një sapun cilësor, i cili përdorej për larjen edhe të fytyrës. Nga sot, “Venus” bëhet i njohur edhe si pseudonim i një personi që në rininë e tij, që në gjimnaz. Ishte nofka që Sigurimi i Shtetit preferoi t’i japë një të riu, i cili sot është as më shumë e as më pak për njëri nga antarët e “qeverisë” së Prokurorisë Shqiptare. Më herët, edhe prokuror dhe person që ka patur në dorë fatet e mijëra shqiptarëve si përfaqësues i Akuzës. Ky person, është cilësuar si ish- spiun i Sigurimit famëkeq jo nga opozita, as edhe nga mediat apo shoqëria civile. Ka qenë një institucion shumë i rëndësishëm si Autoriteti i Dosjeve të ish- Diktaturës. Me shumë mjeshtri, ish- spiuni i’a ka dalë të kalojë edhe rrjetën e verifikimeve nga vetting-u duke u ngjitur në majë, pas më shumë se 28 viteve ndarje zyrtare nga komunizmi. Shkurt e qartë: vetting-u “fut ujë”, siç është deri diku e natyrshme.
Një tjetër koleg i këtj “Venusit”, që mund të quhet shumë lehtë “Kampion mibjetesa”, për të justifikuar pasurinë, ka bindur vetting-istët se ia ka dalë të jetojë për rreth 8 vite me vetëm 170 lekë në ditë. Të reja sigurisht, ose 1700 lekë. Ose rreth 50 mijë në muaj. KPK-ja ia ka marrë të mirëqenë këtë llogaritje pa u interesuar nëse prokurori: ka pirë një apo dy kafe në ditë, e ka pirë apo jo cigaren, a është detyruar të blejë një shishe ujë në piskun e vapës, a konsumon çamçakëz për të eleminuar erën e gojës… Se nuk po flasim për kostro transporti qytetas apo për të parë të afërmit jashtë vijave të verdha, ripasim këpucësh tek këpucari, ndonjë qerasje e paparashikuar kolegësh apo edhe dashnoreje të mundshme…
Emrat? I dinë të gjithë, por ç’rëndësi kanë emrat?! Se mos janë vetëm këta të dy që i shpëtuan e do ti shpëtojnë vetting-ut. “Ligji dhe Maliqi” vazhdojnë të jenë në pushtet. Nuk do të mjaftonte që vetëm “Venusi” dhe “Kampioni i mbijetesës” të largoheshin me ceremoni nga sistemi. Nevojitet që të ikin bashkë me ta edhe ata që nuk verifikuan si duhet “Venusin”, të paktën sipas institucioneve zyrtare por edhe sepse besuan “Kampionin e Mbijetesës” se mbante frymën gjallë me 170 lekë në ditë. Në të dy rastet, ka nevojë për “bërje shembull” nëse duam që ti besojmë vetting-ut. Nëse kjo çështje mbulohet me heshtje apo anashkalim, edhe vetting-u mund të quhet i ikur “per lana”. /Shënim i ShkodraWeb/