Polemika e hapur për përfshirjen e politikës në organizimin e Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër, ka vijuar. Ka qenë fillimisht sekretari i PD- së Shkodër Aleksandër Marleci, ai që ka evidentuar “reklamën politike” që i ka bërë në një media kombëtare koordinatorja e Festivalit Manjola Lloja dy deputetëve të zgjedhur të PS- së Edona Bilali dhe Benet Beci.
Më pas në publikimin në Facebook të Marlecit, ka reaguar vetë Lloja, e cila ka sqaruar kontributin për organizimin e Festivalit nga ana e deputetëve Bilali e Beci. Në përgjigje të këtij reagimi, ka ardhur edhe një sqarim tjetër nga sekretari i PD- së Shkodër Merleci për zonjën Lloja, të cilin po e përcjellim më poshtë.
Publikimi i Aleksandër Marlecit
Ju përgëzoj për angazhimin ndër vite. Ato që bejnë festival duhet të bëjnë vetëm festival dhe JO politikë. As ta përdorin festivalin në sherbim të politikës apo më keq të individëve të caktuar në politikë. Nqs është e vertetë se Bashkia dhe Ministria nuk janë angazhuar, kanë bërë shumë gabim por kjo nuk i jep të drejteën Edonës me Benetin të privatizojnë festivalin.
Unë i referohem një komunikimi Tuaj dje në lajme dhe u fyva nga mënyra si u servir kontributi i tyre. E nderuar Manjola, të jeni e sigurtë se e dua jo vetëm festivalin por Shkodrën dhe çdo gjë të saj minimalisht më shumë se shkodranet që kanë emigruar në Tiranë dhe e përdorin Shkodrën vetëm për përfitim, pasi kam zgjedhur të jetoj, punoj dhe rris fëmijët në Shkodër.
Kësisoj jam shumë sensibël (si dhe shumë të tjerë që kanë zgjedhur Shkodrën) ndaj çdo tentative për fyerje të inteligjencës dhe historisë së Shkodrës. Më vjen keq që u njohëm përmes replikave të tilla po le ti sherbejë kjo si një thirrje ndërgjegjes së gjithë atyre që bëjnë politikë me çdo gjë, edhe me festivalin e fëmijëve, se kjo gjë duhet të marrë fund njëherë e mirë.
Unë merrem vetë me politikë dhe me besoni se e kam me të jetuar dhe jo me të dëgjuar këtë që sapo ju thashë. Mungesa e meritokracisë në politikën shqiptare prodhon elemente si Edona të cilës dielli i lind në Surrel.