Vllaznia u mposht sot përballë Kukësit, duke i dhënë fund serisë së rezultateve pozitive dhe duke humbur mundësinë për t’u kthyer e vetme në kreun e renditjes. Megjithatë, trajneri Qatip Osmani e cilëson këtë një gjë normale në ecurinë e kampionatit dhe beson se ndalesa për Kombëtaren do të ndihmojë kuqeblutë.
“Mungesa e Krymit dhe Smajlit? Sigurisht janë lojtarë standart që kanë luajtur deri tani në formacion, por mendoj se edhe pa ato kemi bërë gabime që nuk duhej të bënim, nuk ishim në elementin e duhur në momente të caktuar. Në pjesën e parë ndoshta ishim pak të rrezikshëm te goli, i pësuam golat me gabime individuale që i bëmë dhe u munduam me ndërrime, ndryshim të sistemit, Nuk ia arritëm dhe rezultati është humbja.
Më rëndë e kanë lojtarët se humbja dhemb, por mendoj që detyra jonë është që të mos elektrizojmë më atmosferën se sigurisht pas një seri fitoresh, erdhi kjo humbje. Jemi munduar të jemi sa më të qetë dhe nuk pat ndonjë reagim negativ.
Ideja ishte që veçanërisht me Çobën të ishte më brenda dhe të krijonte një lojtar tjetër në mes dhe me Grudën të sulmonim portën. Të ishte edhe ai me Balajn. Por në momente të caktuara në 20 metra katror ishin 5-6 lojtarë ndërsa në krah nuk kishim faktikisht lojtarë. E përmenda edhe më parë që iniciativa ishte e lehtë, por pa ide, konkretizim në finalizimin e aksionit.
Ky është futbolli, është realitet. Mendoj se ndodhin këto, jo vetëm në kampionatin tonë por edhe më të mëdha. Është edhe punë dite, frymëzimi, është dhimbje dhe është fakt. Kot që tregohet. Por mbas çdo humbje ne duhet të marrim diçka dhe të mësojmë.
Mendoj se na vjen mirë kjo ndalesë, se gjithë kohën kemi luajtur me një formacion, shumë pak lojtarë kemi zëvendësuar. Ndaj na bën mirë”, tha Osmani për “MCN’ pas ndeshjes.