Greqia po jeton një nga ditët më të vështira të historisë së saj moderne. Deri në këto momente, janë 76 viktima dhe mbi 200 të lënduar nga zjarret që në mënyrë të pashpjegueshme u shfaqën në zona të ndryshme të Athinës e përtej. Situata është e rëndë dhe rrezikohet të përkeqësohet me kalimin e orëve. Mes viktimave e të lënduarve, të gjithë të pafajshëm ka edhe fëmijë, familje të tëra por edhe shqiptarë… Greqia ka shpallur 3 ditë zie kombëtare.
Kjo është një panoramë e ftohtë sepse ata që e kanë parë nga afër, edhe shqiptarë qofshin, e kanë përcjellë si një katastrofë të papërshkrueshme. Solidariteti është në shkallën më të lartë jo vetëm brenda Greqisë por edhe jashtë saj. Është vertetë një fatkeqësi natyrore por që po përjetohet me ndjeshmëri të lartë. Me përjashtime të vogla në fakt.
Me grekët e serbët sidomos, historia nuk na ka vënë në marrëdhënie të mira fqinjësie. Secili komb ka argumentet e kundërargumentet e veta. Si një komb i vogël dhe pa aleatë të qëndrueshëm historikë, kemi qënë ne shpesh herë në thellësitë e historisë së vjetër dhe moderne viktima të fqinjëve me pushtime dhe me masakra. Por nga ana tjetër, të paktën Greqia ka qenë një mundësi shumë e mirë ekonomike për qindra mijë shqiptarë, mundësi që për njëmijëenjë arsye, vendlindja nuk ua ofronte. Nuk mund të harrohen as edhe “fshesat” e famshme që në fakt nuk synonin vetëm ata që ishin me qëndrim të paligjshëm. E në mes, vazhdojmë të kemi akoma Çamërinë, për ata që kjo fjalë ngjall akoma nacionalizëm.
Sot Greqia është në një ditë të keqe. Vendi fqinj ka refuzuar edhe ndihmën e Turqisë, shenjë kjo e një “ballkanizmi” që është i fortë edhe pse grekët janë prej vitesh në BE. Ndërkohë nga shqiptarët nuk mungojnë reagimet të tipit “mirë t’u bëhet se grekë janë” apo edhe më shumë se kaq. Në fakt, ne nuk na falet. Tradita që na ka udhëhequr përmes shekujve të historisë si komb, është krejt e ndryshme. Ne kemi pritur në mort edhe vrasësin apo të afërmit e tij në emër të besës, një vlerë që me krenari e përmendim dhe na e përmendin. Nacionalizmi nuk merr vlera duke fërkuar duart me të keqen që ka goditur “armikun”. Aq më shumë, kur nuk kemi asnjë “meritë” në gjithë atë çfarë po i ndodh Greqisë. Sepse nuk jemi në luftë, madje jemi në kërkim të një paqeje të përhershme. Sot të gjithë ne kemi momentin të ngrihemi në lartësinë e shqiponjës. Dhe duhet ta bëjmë në emër të së sotmes por edhe të ardhmes, duke mos harruar kurrë të shkuarën. Por jo kur në shtëpinë e “armikut” ka mort. Ai duhet respektuar, pikërisht se jemi shqiptarë! Edhe për hatër të atyre bashkëkombasve tanë që kanë vdekur apo janë lënduar në këtë tragjedi…bashkë me grekët! /Nga Alda DELIJA/