Nuk kishim shumë që kishim lënë kampin shfarosës të Tepelenës. Ministria e Punëve të Brëndshme na ndaloi në kampin e internimit Saver të Lushnjës. Për pak kohë i’ u nënshtruam gjellës së kazanit, në krahasim me kazanin e Tepelenës, ishte shumë më mirë. Pas sistemimit nëpër dhoma të cilat ishin të shtruara me çemento, njerëzit filluan të shpërndahen nëpër brigada pune në bujqësi.
Disa gra filluan punën në blegtori si mjelëse lopësh, punë që paguhej mirë. Si mjelëse filluan nena ime, Nanë Palja, Bardhe Marka Gjoni, Syk Vojvoda. Ditën që mori rrogën, nëna e hyri në shtepi, u ul në një stol dhe më thirri mua “hajde përqafoje nanën”. Unë shkova me vrap e putha fort, ajo nxorri nga xhepi një 10- lekëshe e ma dha. Pastaj thirri Sokolin që e perqafoj e puthi nënën e mori 10- lekëshin. U gëzuam shumë.
Të nesermen nëna me motrën, pasi bënë apelin e policisë, shkuan në qytet për të bërë pazarin. Unë me Sokolin u gëzuam duke i thënë njeri -tjetrit kush e di sa gjëra të mira do na bjerë nëna. Nuk po na rrihej në shtepi, dolëm në rrugë për të pritur nënën me motrën. Ato po ktheheshin nga pazari, kishin blerë një rrogoz, nga një palë opinga dhe nga një palë pantallona me bluzë.
Në mbrëmje shtroheshim me fjetë, ndiheshim më ngrohtë prej rrogozit që ishte shtruar mbi çemento. Pantallonat sa herë që i vishja, qaja, se më digjnin, ishin prej leshi sa motra u detyrua dhe i qepi një astar nga brenda. Kur binim për të fjetur, unë flija afër nënës duke i hedhur dorën sipër. Dora sa nuk më hidhej përpjetë. Të nesermen i them motrës (Lajdes) se “kur i hedh dorën nanës, dora ime hidhet përpjetë.
Lajdja më thotë se “nana vuan nga zemra, ajo e ka të ndalume të punojë por ajo po punon me ju rritë e me ju shkollu”. Mua m’ u mbushën sytë me lot e mendja më ngeli aty. Me mendjen time vendosa që kur të vinte xha Xhemali (roja i stallave që ju bante zgjimin mjelëseve), të shkoja dhe unë me nanën për ta ndihmuar.
Unë kisha filluar klasën e shtatë. Nga ora tre e mëngjesit dëgjoj xha Xhemalin që me një zë të ulët thirri:
-O Kune a mundesh me u çue?
Pastaj xha Xhemali thirri nnanë Palen që ishte në dhomën tjetër me femijët e saj. Nëna u ngrit e u ba gati. u ngrita dhe unë, u vesha, nana më tha:
-Pse u çove?…
-Do vij me ty me të ndihmu.
-Bjer me fjetë tha, se je i vogël.
-Jo do vij me ty.
U nisëm për te stallat. Nana kishte 15 lopë për të mjelë. Ajo filloi mjeljen e unë po e vështroja me kujdes, fillova të mjel. Javën e parë mola 5 lopë pastaj mësova më mirë dhe milja gjysmën. Pas mjeljes fillonte pastrimi. Nanë Palja kur mbushte tezgën, peshën e rëndë e vinte në anën e saj që unë të mos lodhesha. Pas mbarimit të mjeljes e pastrimit niseshim për shtëpi. E kapja nanën për dore i lumtur i thoja:
-He nanë a ta lehtësova punën ndopak?
-Po të paste nana ma ke lehtësue mjaft.
Nëna shtrihej për të pushuar, ndërsa unë lahesha e bëhesha gati për shkolle. Pas tre vjetësh i hoqën nga puna te stallat si të padenja për të punuar në një punë si mjelëse. I hoqën gratë që ishin të internuara duke i zëvendësuar me gra me biografi të mirë. Nëna filloi punë tjetër duke ju çuar ujë puntorëve. Nëna ime e shtrenjtë ndrroi jetë në 14 mars 1974 në kampin e internimit Gjaz të Lushnjës në moshën 54 vjeç. /Nga Simon MIRAKAJ, publikuar në Facebook/