Masat e marra nga Drejtoria Vendore e Policisë e Shkodër për të siguruar mbarëvajtjen e festave të fundvitit. Policia e Shkodrës, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, ka marrë një sërë masash shtesë për të siguruar mbarëvajtjen e festave të fundvitit dhe në fillimit të Vitit të Ri 2019, pasi pritet të ketë rritje të numrit të mjeteve në qarkullim dhe qytetarëve që do të marrin pjesë në aktivitetevet festive që do të zhvillohen në qendrat kryesore të qyteteve, të Shkodrës, Koplikut, Vau Dejësit dhe Pukës.
Drejtoria Vendore e Policisë e Shkodër ka hartuar planet e masave dhe planet e veprimit në të cilat janë përcaktuar objektivat dhe detyrimet për strukturat e saj për këtë fundviti dhe fillimin e Vitit të Ri 2019, nëpërmjet të cilave synohet:
– Rritja e sigurisë së komunitetit në të gjithë territorin.
– Parandalimi i ngjarjeve kriminale, nëpërmjet kontrollit të plotë të territorit nga strukturat e Policisë.
– Evidentimi dhe mbajtja nën kontroll i personave me precedent kriminal e penal, e automjeteve që përdorin apo ambienteve që frekuentojnë.
– Rritjen e prezencës policore në akset kryesore rrugore, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe ngjarjeve kriminale.
– Forcimi i masave për kontrollin ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë duke bashkëpunuar me strukturat e tjera ligj zbatuese.
Gjithashtu janë hartuar Planet e Vendosjes së shërbimeve të Policisë Rrugore, me qëllim monitorimin e akseve kryesore rrugore kombëtare. Bazuar në informacione, do të organizohen shërbime të përbashkëta, të këtyre strukturave për kontrollin e territorit dhe patrullime të përbashkëta, për qarkullimin e sigurtë të automjeteve dhe kapjen e personave objekt i këtij kontrolli.
Strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike që frekuentohen nga numër i madh qytetarësh, lokale dhe restorante, apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive, në momentet e ndërrimit të viteve.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dëshiron të sigurojë të gjithë qytetarët që do të festojnë natën e ndërrimit të viteve se do të jetë pranë komunitetit për garantimin e rendit publik, të sigurisë së jetës dhe të pronës dhe kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të informojnë për çdo problem.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve që të bëjnë kujdes në përdorimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarreve dhe njëkohësisht Ju uron “Gezuar Vitin e Ri 2019”. Faleminderit ! /Njoftim për mediat i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër/