Është ndarë sot nga jeta Eqerem Kruja, një ish- mësues me mbi 35 vjet kontribute në arsimin shkodran e shqiptar. Nga ish- nxënësit e tij por edhe ish- kolegët, ai konsiderohet si simbol i mësimdhënies në Shkodër e më gjërë.
I ndjeri ka dhënë një kontribut të madh në mësimnxënien dhe edukimin e brezave të tërë të nxënësve, sidomos në Shkollën Artistike “Prenkë Jakova”. Në faqen zyrtare në Facebook të Bashkisë Shkodër, përcillen ngushëllimet për familjen kruaja, edhe në emër të kryebashkiakut Benet Beci:
“Shkodra ka humbur sot një nga simbolet e mësimdhënies. Ndarja nga jeta e mësuesit Eqerem Kruja, ka trishtuar jo vetëm familjarët, ish -nxënësit e ish-kolegët e ti, por gjithë qytetarët shkodranë.
Me mbi 35 vjet kontribute në arsimin shkodran zotni Eqeremi përfaqëson denjësisht qyteatrinë, përkushtimin e punën e palodhur për të edukuar brezat.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, zoti Benet Beci në emër edhe të bashkisë, shpreh ngushëllimet për familjarët dhe nderime për figurën dhe angazhimin qytetar të mësuesit të paharruar Eqerem Kruja.”, shkruhet në publikimin e Bashkisë Shkodër.
Në një publikim në rrjete sociale, ish- nxënësi i tij Arjan Peraj, kryetar i Sindikatës së Arsimit për Shkodrën, shprehet:
“Sot për maturantët e vitit 1982 të shkollës artistike “Prenkë Jakova” Shkodër dhe shumë breza nxënësish nga kjo shkollë është një ditë e dhimbshme! Sot ka nderruar jetë mësuesi ynë kujdestar , Zotni Eqerem Kruja!
Të gjithë do ta kujtojmë me respekt, dashuri dhe mirënjohje njeriun e mirë, profesorin e përgatitur, elegantin në paraqitje dhe komunikim, mikun e të gjithëve ne!
Takimet e vazhdueshme që kemi bërë si maturë , prania dhe respekti i Profesorit ngelen të paharruara për të gjithë! I përjetshëm kujtimi i Profesor Eqeremit!”, shkruan Peraj.
Ndërsa Antonjeta Pero, ish- nxënëse dhe aktiviste e njohur sociale në Shkodër, shkruan: “Paç Dritë e Diell Profesori ynë i dashtun! Jemi munduar të të imitojmë në dashurinë e pedagogjinë tande, në fëmijët që kemi pasë përballë në vite. Nuk e di, a ia kemi dalë…”.
ShkodraWeb i shpreh ngushëllimet e veta familjes Kruja, të afërmëve, miqve e të njohurve të profesor Eqerem Kruja.