Është ndarë sot nga jeta në moshën 72- vjeçare specialisti i njohur i bujqësisë, themeluesi i Permakulturës Shqiptare Tofik Fugarini. Ka lindur në vitin 1948 në fshatin Kuç të Shkodrës. Është diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës në vitin 1971 dhe pas diplomimit, punoi si agronom në kooperativat bujqësore të rrethit Pukë, Postribë e drejtor në fermën bujqësore.
Në vitet 1993-1997 ishte këshilltar për programin PHARE. Në vitte 1997-2003 ka drejtuar projektet e Permakulturës në Shqipëri në kuadrin e organizatës humanitare Oxfam. Unë kam patur fatin të jem një ndër bashkëpuntorët më të afërt të tij së bashku me Rita Çunin,Tom Ndokën. Gjatë drejtimit të programeve të permakulturës është bërë e mundur ngritja e Qendrës se Përmakulturës në Ganjollë të Shkodrës.
U realizua botimi i mjaft broshurave për permakulturën si dhe finalizimi i botimit të gazetës “Permakultura”. Tofiku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndihmë të fermerëve të zonave malore e të varfëra në Shalë, Shosh, Pult, Postribë, Shllak, Temal,Vig-Mnel, Hajmel në trajnimin dhe financimin e projekteve të permakulturës (bujqësia e qëndrueshme).
Jeta e tij u karakterizua nga humanizmi njerëzor në shpërndarjen e njuhurive për njerëzit që punonin në fermat e tyre bujqësore. Gjindet për shumë vite nga fshati Likaj Postribë deri në Sermë të Toplanës me një përkushtim të madh të njerezve duke organizuar trajnime me fermerë e sjellë specialiste nga vendi e bota e jashtme.
Deri në vitin 2010, punon për shtrirjen e permakulturës në të gjitha zonat e Qarkut të Shkodrës. Është njohës i shkëlqyer i metodave të permakulturës aq të përshtatshme për kushtet e fermerëve shqiptarë. Duke qenë një ndër specialistët më të mirë të bujqësisë ishte i ftuar në shumë vende për kumtesa e seminare.
Përfaqësonte Institutin e Bujqësisë Biologjike për Veriun. Ndarja e tij nga jeta është e trishtueshme, duke lënë në mes shumë ëndrra siç ishte botimi për Permakulturën që dhe unë isha një bashkepunëtor i ngushtë i tij. Mesazhet e ditëve të fundit janë tepër prekëse por jeta është e tille.
I shpreh ngushëllime bashkëshortes, djalit, vajzës dhe të gjithë të afërmëve të tij kudo që ndodhen, si dhe gjithë ish- stafit të Oxfam- it në Shqipëri e specialistëve të bujqësisë për humbjen e jetës se Tofik Fugarinit. Pushofsh në paqe! /Nga Zef NIKA/