Është ndarë nga jeta në moshën 81 vjeçare Ramiz Lika, një nga personalitetet më të shquara të Malësisë së Madhe dhe jo vetëm. Lika ka patur një karierë të gjatë dhe të suksesshme, në disa fusha por më shumë është shquar si shkrimtar, përkthyer dhe mësues i devotshëm. Pikërisht për këto kontribute, Ramiz Lika ishte vlerësuar me “Qytetar Nderi” i Bashkisë Malësi e Madhe dhe “Mësues i merituar”. Po ashtu, Lika ka qenë edhe laureat i çmimit “Naim Frashëri”.
Lajmin për ikjen nga kjo jetë të Ramiz Likës, e ka dhënë nënkryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, njëkohësisht edhe i afërm i të ndjerit, Sytki Ndrecaj, përmes një publikimi në Facebook.
Kush ishte Ramiz Lika
Ramiz Lika u lind në Zagorë, komuna Shkrel, Malësie e Madhe, më 27 mars të vitit 1939, ndryshe, 15 javë para Shën Gjergjit të atij viti, ose atë kohë kur 15 aeroplan janë pa duke fluturuar në qiellin e asaj zone (është fjala për kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia).
Mësimet fillore i merr në vendin e lindjes, ku spikat për përkushtimin për nxënien. Një kohë e vështirë, por një kohë së cilës ai i mori atë energji shpirtërore që shtyti gjithnjë e më fuqishëm drejt ëndrrës. Në vitet e mëvonshme, formimi i tij do të ngjizej në të tjera angazhime dijetuese, të cilat nisin me një shkollë fetare, për t’u pasuar njëra pas tjetrës deri në formimin akademik, atë për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Zotëronte arabisht, rusisht, italisht dhe angalisht, gjuhë të cilat i ka nxënë në mënyrë autodidakte në një përformancë të admirueshme. Veprimtarinë e tij krijuese e përbëjnë 12 romane të shkruara në kohët e dy regjimeve, ku spikat për një tendencë disidence, moderniteti dhe kurajoje kumtuese estetike, e cila fatmirësisht nuk i solli konsiguenca ndëshkuese. Një pjesë të rëndësishme e punës së Ramiz Likës është shqipërimi.
Rreth 25 është numri i botimeve të përkthyera nga rusishtja, italishtja dhe anglishtja, përfshi dhe një numër të konsiderueshëm shkrimesh publicistike dhe pedagogjike, të botuara në periodikët dhe shtypin e përditshëm.
ShkodraWeb Media i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afëmëve, miqve, kolegëve e të njohurve të Ramiz Likës.