Shkruan në facebook shkrimtari i njohur Shpëtim Kelmendi: Tonin Kaçaj mbajti profil të ulët si poet, sa ishte gjallë. Nuk u interesua kurrë as për emër e as për famë, por pavarësisht mjegullës së heshtjes me të cilin ai qe rrethuar për shkak të natyrës së tij të mbyllur e për shkak edhe të indiferencës sonë, ai është dhe do të kujtohet pa diskutim si një nga poetët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë.
Po postoj një fragment nga poema e tij “Tingulli i Heshtjes”, që sipas meje është kryevepra e tij, por dhe një nga kryeveprat e poetikës shqiptare.
Tonin Kaçaj
Tingulli i Heshtjes
(Fragment)
Po këtë qiell e po këta yje pata përherë mbi krye.
Dhe po këta drurë, përballë.
Nata s’u shndërrua kurrë në diçka tjetër,
Fjala vjen, krahë zogu a flutur drite,
Mbeti po ajo: brumbull gjigand
Që shtyn rruzullin e gjithçasë sime
Përgjatë përtacisë pakthim të saj,
Ku një lakore e pambarimtë pluhuri shënjon gjithçka.
Grimcë e dritës, dhe pse e ûnshme deri në terr,
Rrëshqet gishtave si ranë e mbetesh i vetëm me heshtjen,
Prej ku ndoshta mundesh dhe me pa.
Varreza gjithëherë, dhe një hap malli larg.
Edhe kur ndonjëherë ngjau se veten krijova,
S’besova në krijimin tim, pra, nuk qeshë dhe nuk jam,
Por kjo s’do të thotë, se të jem, domosdo duhet të jem,
Si drurët përballë e qielli me yje, e Nata,
Se dhe ata krijuar prej meje janë, e ku çastit të mbràmë
-kujt t’ia lë?, gjërat e mia askush i sheh-
Dhantë Zoti, të mos i marr syve të mbyllur, se bëhet terr.
Përjetësia trishton prej mungimit të sendeve.
Veç Përjetësisë, asgjë s’është e përjetëshme.
Gjithçka si një pëshpërimë gjethi.
Në rrugtimin tim nator, takova sa herë të vdekurin
Dhe hanën veshë në zi tek psherëtinë kalldrëmeve të natës
Mallin e një ylli kaherë të vdekur,
Pashë dritën hyjnore tek shkon zbathur përmbi gastare terri,
Yjet ulur drurëve të kopshtit e pjerrësinë e Dheut,
– mjaftonte një hap, e bije pagojës së humnerave.
Pikut të natës jam ngritë sa herë prej qarjes së largët
të një fëmie diku
A do zërave të thellë Lumit pa derdhje të nëndheut,
Zogj të pafrymë pashë degëve të thyera të qiellit
E klithmës thik të qokthit të pikojë gjithëlànda eterne,
Veten time te një tufë lulekàllmash pellgu,
Zotin të qajë me kryet shtrënguar mes duarve të njeriut.