Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë kanë zbuluar se si do të vijohet me bojkotin të martën, në vijim të protestës së tyre për disa kërkesa drejtuar qeverisë.
Ata kanë sqaruar në një njoftim për mediat, se do të mblidhen në oborret e universiteteve dhe do të vijojnë me bojkotin duke nisur nga ora 10:00 e në vijim.
Ata i bëjnë thirrje kolegëve të tyre që të vijojnë me bojkotin e procesit mësimor, deri kur qeveria të plotësojë 9 pikat e peticionit që ata kanë adresuar.
NJOFTIMI
Të dashur kolegë të IAL-ve publike!
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), duke falenderuar stafin akademik dhe ndihmës akademik e administrativ që mbështeti protestën e ditës së parë, deklaron vijimin e protestës edhe në ditët në vijim, në mbështetje të Peticionit të datës 30 Gusht 2022, drejtuar Kryeministrit, Ministres së Arsimit dhe Sporteve dhe rektorëve të IALve publike, në formën e ndërprerjes së plotë të procesit mësimor përgjatë gjithë ditës, si dhe nëpërmjet grumbullimit para fakulteteve në orën 10.00.
Të gjithë Fakultetet e Universitetit Politeknik do ta zhvillojnë protestën e orës 10:00 të qendërzuar para godinës së Korpusit Qendror të UPT-së.
Të dashur kolegë, vetëm vijimi dhe qëndresa jonë e përbashkët do të mundësojnë vlerësimin dhe kthimin e dinjitetit akademik të stafeve dhe universiteteve tona.
Një thirrje të veçantë i bëjmë ndërgjegjes së atyre kolegëve që nuk i janë bashkëngjitur kësaj lëvizje deri tani dhe do e kanë mundësinë të kontribuojnë në ditët në vijim.
Misioni ynë akademik vazhdon!