Është ndarë nga jeta në moshën 95-vjeçare Mesarete Imeraj Karagjozi e njohur për shqiptarët si Lilo Labja, në filmin shqiptar “Malet me blerim mbuluar”.
Lilo Labja është personazhi që plagoset në film, ndërsa skena nuk është një fantazi e skenaristit, por është bazuar tek historia reale e partizanes.
Disa vite më parë Imeraj rrëfeu për News 24 momente nga jeta e saj mes shtigjeve të luftës që i përngjante rolit që u përjetësua në film nga aktorja Yllka Mujo.
“Kam qene 17 vjeçe kur kam dalë partizane në luftë. 6 ditë dhe 6 netë kam qenë e plagosur në Ferrë. Por rinia është ajo që të bën të jetosh.
17 dhëmbë më janë hequr nga plumbat. Ndërsa jashtë shtetit me vunë buzën prapë, ma qepën. Jemi krenarë për brezin që kemi qenë, asnjë brez nuk i ka dhënë Shqipërise atë që i kemi dhënë ne”, shprehej ajo.
Siç njofton familja, Imeraj do të përcillet në banesën e fundit nesër ( e shtunë) në orën 14:00, në varrezat e Sharrës.