Është ndarë nga jeta në SHBA ku jetonte me familjen e tij prej vitesh, Ahmet Bushati, ish- kryetar i parë i Këshillit Bashkiak të Shkodrës pas vitit 1990- ë, ish- i persekutuar politik dhe autor i disa botimeve.
Lajmi është dhënë përmes një publikimi në rrjete sociale nga Kreshnik Bushati, djali i tij, i cili flet me shumë krenari për babain e tij, kontributin para dhe pas vitit 1990- të.
Ahmet Bushati lindi në Shkodër, më 25 mars të vitit 1929. Ishte anëtar i organizatës antikomuniste të studentëve shkodranë “Përpjekja Shqiptare”. U arrestua më 20 janar të vitit 1948, një ditë pasi e kishin përjashtuar nga “Organizata e Rinisë”.
Më 24 qershor 1949, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 7 vjet heqje lirie, punë të detyruar dhe heqjen e së drejtës elektorale për 2 vjet kohë për “krime kundër shtetit”. U lirua më 23 shtator 1954 për plotësim afati. Pas burgut punoi si punëtor krahu dhe më vonë si teknik në Krujë. Kreu me korrespondencë fakultetin në degën Gjuhë- Letërsi. Në vitin 1991 u kthye në Shkodër.
Nga viti 1992 deri më 1996 ishte kryetar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Ai mban titullin “Qytetar Nderi” i Shkodrës.
PUBLIKIMI NË FACEBOOK I KRESHNIK BUSHATI
Miq, baba na la!
Gjithmone kam mendue se kur te vijne dite me shkrue per largimin e tim eti prej kesaj bote do e kem te veshtire me i gjete fjalet, por disi do ja delsha. Ne fakt dhe njashtu asht, shime e veshtire……(dhe nuk e dij nese po ja dal). Kam shume me thane e me shkrue per ty, por sot thjesht do i permbahem nje lajmerimi.
Askush nuk i ka dy jete, por ti e pate nje jete aq te gjate me episode sa mund kishin kene konsiderue shume mire dy apo ma shume. Ti nuk duhej t’i kishte rezistue burgut komunist dhe mbijetove. Jeta qe shkove deri ne diten e djeshme, mbeten gjithmone tregues i forces shpirtnore e fizike, por dhe i deshires tande me e jetue jeten. Kush pak si ti i gezohej njerezve e miqve e bisedave me to. Une mendoj se ti gjithmone ke pase nje “dore hyjnore” qe asht kujdes per ty, sic te shpetoj nga kthetrat e vdekjes ne momentet e fundit kur gardianet thirrnin “po vdes, po vdes”, dhe ti nuk ishe ma shume se 19 vjec ku te futen nje dyshek te thate ne qeli, mbasi te torturonin me kova me uje te ftofte ne dimrin e akullt te ’48-es, ashtu edhe 75 vjet ma vone, kur ikja jote prej kesaj bote ishte krejt a paqte. Doktoret e familja u kujdesen qe ti te largohesh i qete e pa dhimbje. Ti jetove nje jete te plote, me miq e shoke, motra, grue e femije, nipa e mbesa qe jo vetem te deshten pa limit, por te kishin idhull. Per mue ti ishe, dhe do jesh gjithmone, “shtylla” ku une mbeshtetem per te reflektue sa here jeta “me lodh” e une kerkoj pergjigje qe nuk i kam. Vullneti yt e karakteri I vecante, me bajne krenare e po ashtu me japin force kur ate nuk e kam ma.
Babe kam shume me shkrue per ty!
“Gjurma” qe ti ke lane ne formimin tem, e po ashtu te Beses, e nipave e mbesave asht shume e dukshme. Ishte e veshtire, si babe, tek shikojsha djalin tem 10 vjecar, te te binte permbys duke kujtue momentet ma te bukura qe ke kalue me te “ ti ishe gjyshi ma I mire ne bote, heroi I Shkodres……. heroi I jem e nuk do te harroj kurre o gjyshi jem” e lotet e tij si kurrhere ma pare nuk do tu ndalshin teksa njomshin faqet e tuaja tashma te ftohta.
Zemra jote pushoi!
Por ajo zemer ishte aq e madhe sa pati vend per aq shume njerez, sa ti gjithmone do kujtohesh si zemerbardhe. Kush pervec teje, do u mundonte te gjente nje gjest te mire, qofte edhe tek nje polic e gardian burgu, qe te rikujtonte e ta permendte ne librin e tij mbas 60 vjetesh!? Ti ishe gjithmone ne kerkim te virtyteve e doje patjeter te gjeje ma te miren tek te tjeret. Karizma jote e natyrshme, I binte te tjeret tek ti dhe respekti qe ti i krijojshe edhe me njerez te cilet sapo I kishe taku, kane kene gjithmone mbreselanese tek une. E mira tek ti ishte gjithmone shume lehtesisht e dallueshme.
Rri i qete babe, se jeta jote e misioni yt ne kete bote do kujtohen gjithmone si modeli I qytetarise, e sjelljes per nje zotniet te vertete!
Lamtumire o njeri I Zotit!
*Per ceremonine e varrimit, do ju lajmeroj ne nje njoftim tjeter. Gjithashtu nje ceremoni perkujtimore do mbahet ma vone ne Shkoder.