Shembja e ndërtimeve pa leje në bregdet këto ditë, është kryelajm i ditëve të fundit. Një aksion në shkallë të gjërë, ka nisur nga Velipoja deri në Ksamil. Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, me mjete të rënda, ka nisur të rrafshojë ndërtimet pa leje të tipit beton- arme. Nuk po kursehen nga ndërtesat modeste, deri tek objektet e ndërtuara me qëllime biznesi. Edhe pse në një periudhë të papërshtatshme siç është nisja e sezonit turistik, shembja e ndërtimeve pa leje duket se është pjesa më e lehtë.
“Dhimbja e kokës” por jo vetëm ajo, do të nisë në fund të këtij procesi. Siç dihet, legjislacioni për ndërtimet pa leje është ashpërsuar ndjeshëm. Siç e pohoi dje nga Velipoja edhe zëvendësministri i brendshëm Besfort Lamallari, për shkelësit do të ketë sanksione ekonomike dhe penale. Gjithmonë, nëse do të përdoret i njëjti “instrument” për të gjithë njësoj dhe jo disa të nënën e disa të njerkës. Në fakt, jo në pak raste ashtu ka ndodhur duke nisur nga IKMT- ja e deri tek dyert e hyrjes apo të daljes nga gjykatat.
Legjislacioni i ashpërsuar për ndërtimet pa leje, parashikon gjoba të jashtëzakonshme, pavarësisht sipërfaqes apo kateve që janë ndërtuar e zënë pa leje të autoriteteve. Gjoba më e ulkët ose “dysheme” është 5 milion lekë të reja, 50 milion të vjetra ose rreth 50 mijë dollarë, për ta bërë sa më të kuptueshme. Pra, edhe nëse ke ndërtuar një “kolibe”, edhe nëse ne ndërtuar një totel pa leje, gjoba më e vogël e mundshme është 50 mijë dollarë. Ky është vetëm hapi i parë. I merr apo jo shteti, çeshtja do të përfundojë në gjykatë, nga aty tek përmbarimi gjyqësor dhe do të ndjek pas gjithë jetën personin, ka apo nuk ka mundësi për pagesë imediate a sekuestrim pasurish, pronash.
Shembja e ndërtimeve pa leje, pastrimi i inerteve dhe transportimi në vend të caktuara, kanë një kosto. Edhe këtë kosto do ta paguajnë pronarët e ndërtimeve pa leje. Fatura do të përgatitet “me kujdes” nga IKMT- ja. Sigurisht, do të jetë faturë jo pak “e kripur për xhepat e shkelësve të ligjit. Kjo, pasi do të llogariten në detaje të gjitha shpenzimet, duke nisur nga nafta e fadromave dhe kamionëve të transportit, kostoja e fuqisë punëtore, kostoja e depozitimit të inerteve etj.
Por nuk kemi shkuar akoma në fund. Të gjithë shkelësit, ata që kanë bërë ndertime pa leje, do të kallëzohen edhe penalisht. Pra, të gjithë ata që rezultojnë pronarë të ndërtimeve pa leje, do të duhet të paraqiten në dyert e gjykatave. Ndoshta jo të gjithë apo asnjëri, mund të burgosen por me shumë mundësi do të shpallen fajtorë për “ndertim pa leje”, dënim që do ti ndjekë nga pas si një damkë që edhe mund tu prishë punë në rrethana të ndryshme.
Për të krijuar një ide të pjesës ekonomike, të asaj që duhet të paguajnë pronarët e ndërtimeve pa leje që po shemben, po qendrojmë në Velipojë. Janë planifikuar 28 procedime, shembje ndërtimi, pastrim dhe evadim inertesh. Vetëm për gjoba, shuma është stratosferike: 28 x 50.000 USD = 1.400.000 USD. Sa i takon faturës për pastrimin dhe evadimin e inerteve, sigurisht nuk do të jetë kaq e lartë por edhe ajo do të nxjerrë para nga xhepat e shkodranëve. /ShkodraWeb/