100 mijë lekë të reja gjobë, kaq i kushton Vllaznisë sjellja e gabuar e tifozëve në ndeshjen e fundit ndaj Egnatias duke hedhur objekte të forta në fushë, Vendimi i Komisionit të Disiplinës është marrë ditën e sotme, 24 orë para sfidës me Dinamon.
Njëkohësisht, zyrtari i Vllaznisë Artan Brahimi është pezulluar me gashtë ndeshje me ndalimin e hyrjes në çdo veprimtari futbollistike. Më poshtë, vendimet e plota të Disiplinës së FSHF- së sot:
KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
Zyrtari i KF Vllaznia, Artan Brahimi, për sjellje josportive ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes në mënyrë të përsëritur, duke hyre në fushën e lojës, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në çdo veprimtari futbollistike të organizuar nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.
KF Erzeni, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
KS Besa, për mos marrjen e masave paraprake te sigurisë, duke neglizhuar përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes, në bazë të nenit 17/1/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.