Bruno Telushi i ka dhënë fund njëherë e mirë të ardhmes me Vllazninë. Vetë lojtari ka pranuar më herët se ishte gati për të luajtur me kuqeblutë, ndërsa para 1 muaji nuk ka pranuar për shkaqe familjare të zhvendosej në Shkodër.
Për Abc, Telushi ka treguar se oferta e re ka qenë 40 përqind më e ulët në pagë, gjë që për të është ofenduese.
“Ndjehem i ofenduar nga oferta e Vllaznisë. Me dëshirë të madhe doja të shkoja në Shkodër, për atmosferën dhe tifozerinë shkodrane. Kam pasur prioritet diçka jashtë dhe rashë dakord të pranoja ofertën e Vllaznisë.
Ata ishin shumë larg ofertës fillestare, më ofruan shumë pak dhe sinqerisht ndjehem i ofenduar. Më vjen keq, sepse kam pasur shumë kontakte nga dashamirës të futbollit shkodran.
Ua kam konfirmuar dëshirën të luaja për Vllazninë këtë vit, por çdo gjë ra poshtë për shkak se Vllaznia më ofroi rreth 40% më pak se oferta fillestare”, tregoi “ushtari”.