Kryeministri Edi Rama ka postuar një foto në rrjetet sociale këtë mëngjes, pak orë para Kongresit të PS.
“MIRËMËNGJES 😊 dhe me ndjesën që po ju zgjoj si gogol në këtë ditë pushimi, teksa #PS🌹e ka ditë kongresi, uroj për të gjithë ju një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.
Socialistët mblidhen sot në një Kongres krejt ndryshe nga formati tradicional që është ndjekur prej vitesh. Kongresi i sotëm do të ketë një numër panelesh të shtrira jashtë sallës së Kongreseve. Delegatët do të jenë të ndarë në 3 panele të ndryshme që do të vendosen në Pallatin e Kongreseve, sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në sheshin “Italia”.
Faza e parë e Kongresit do të nis në orët e para të mëngjesit. Në pjesën e jashtme të “Pallatit të Kongreseve”, do vendosen disa tavolina të rrumbullakëta. Përfaqësues të PSsë, do të zhvillojnë takime me anëtarë e qytetarë kryesisht mbi problematikat aktuale, si p.sh: kriza e çmimeve.
Pjesë e tryezave përkatëse, do të jenë edhe ministrat sipas fushave. Ky diskutim, do të zgjasë rreth 3 orë, ndërsa më pas në orën 12:00, nis faza e dytë e punimeve, e cila do të shënojë hapjen e punimeve nga Damian Gjiknuri.
Kongresi socialist do të vijë me një risi edhe sa u takon fjalimeve hapëse të tij. Sipas axhendës së Kongresit, ministrat do të flasin para nisjes së punimeve të tij, për prioritetet e dikastereve që ata drejtojnë duke u vendosur në pjesë të ndryshme të Tiranës.
Fjalimet pritet të nisin pothuajse në të njëjtën kohë.