Festimet e Magdalena Anderson e cila u zgjodh kryeministre e Suedisë gjatë mëngjesit të sotëm, morën një kthesë të papritur. Vetëm 8 orë pas zgjedhjes, Anderson ka dhënë dorëheqjen.
Kjo pasi deputetët suedezë votuan kundër buxhetit të qeverisë, çka solli largimin e partisë të të Gjelbërve nga koalicioni me mazhorancën.
“Ka një ligj kushtetues që kërkon që qeveria e koalicionit të japë dorëheqjen kur një parti largohet prej saj. Unë nuk dua të jem kreu i një qeverie, legjitimiteti i së cilës vihet në dyshim,” tha Anderson në një konferencë shtypi.
Siç shpjegoi Anderson, ajo i tha “ presidentit se dua të jap dorëheqjen si kryeministre”. Megjithatë, ajo nuk ka ndërmend të heqë dorë nga politika, pasi do të tentojë të formojë një qeveri njëpartiake dhe të marrë sërish votëbesimin.
Të Gjelbrit njoftuan më herët se po largoheshin nga koalicioni qeverisës sepse buxheti nuk u votua në parlament.
“Ne donim të kishim miratimin për të promovuar politikat e gjelbra. Nuk është puna e të Gjelbërve të zbatojnë një buxhet të negociuar nga demokratët suedezë,” tha Martha Steveni , bashkëkryetarja e partisë .
Buxheti i qeverisë u refuzua, ndërsa u miratua projektligji përkatës i promovuar nga tre parti të krahut të djathtë, përfshirë partinë anti-imigruese të Demokratëve suedezë.
Magdalena Andersson ishte gruaja e parë që u zgjodh si kryeministre e Suedisë. Ajo e mori këtë post për vetëm pak orë, duke zëvendësuar Stefan Lofven i cili ishte në krye të partisë së Social-Demokratëve.
Suedia është vendi i vetëm nordik që nuk ka zgjedhur kurrë një grua si lidere të kombit. Andersson, e cila deri më tani ka udhëhequr Ministrinë e Financave, ka humbur në votën e së mërkurës.
Megjithatë, ajo është zgjedhur sepse sipas ligjit suedez, kundër saj nuk është dashur të votojnë shumica e deputetëve. Ajo ka fituar këtë pozitë pas arritjes së një marrëveshjeje me Partinë e të Majtëve, në këmbim të pensioneve më të larta për suedezët.
Nga 349 anëtarë të Parlamentit, 174 kanë votuar kundër saj. Mirëpo 117 të tjerë e kanë përkrahur dhe 57 tjerë kanë abstenuar. Andersson ka nisur karrierën politike më 1996 si këshilltare politike e kryeministrit, Goran Persson.
Ajo përballet me sfida që nga fillimi, pasi disa parti kanë thënë se nuk do të përkrahin projektligjin qeveritar për buxhetin.