Pas përfundimit të rilindjes urbane, që i dha fund identitetit të qyteteve, ku u ndërhy, në programin e qeverisë për këtë mandat theksohet rilindja rurale, duke investuar më shumë në infrastrukturë, ujësjellës-kanalizime.
Por lista e investimeve të buxhetit 2022-2024 vertetoi edhe një herë shpërndarjen e pa barabartë te investimeve publike.
Ne listen e investimeve te buxhetit 2022, për Shkodrën ka vetem 1 investim, edhe kete me bashkëfinancim mes qeverisë dhe Këshillit të Qarkut Shkodër, Ndërtimi i Ujësjellësit Muriqan, në Njësinë administrative Ana Malit, një investim që duhet të fillohej që nga viti 2021. Megjithese jemi në muajin e katërt të vitit, fondi ende nuk është çelur për fillimin e procedurave te prokurimit, nderkohe leja e ndertimit është tashmë e miratuar që nga viti i kaluar. Dihet që procedurat e prokurimit, deri në lidhjen e kontratës, zgjasin deri ne 2 muaj, mos edhe më shumë. Kur do të kryhet investimi?
A por do të ndiqet praktika e përsëritur, si vitin e kaluar që e çelim pak para se te rishikohet buxheti dhe kur nuk ka kohe per lidhje kontrate.
Gjatë vitit të kaluar, u paraqitën edhe 5 projekte ne fushën e ujësjellës kanalizimeve, të cilët u vlersuan edhe nga AKUM, por nuk po shohin dritën e financimit. Fondi për Zhvillimin e Rajoneve si instrument zhvillimor për të pasur rajone me zhvillim të balancuar, konkurruese dhe me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social e mjedisor, nuk respekton shpërndarjen e barabartë të fondeve, duke krijuar polaritet ne zhvillimin rajonal te Shqiperise.
Përsa i përket investimeve me fonde të qeverisë, Shkodra zë vendin e 59-të nga 61 bashkitë në vend. A nuk është populli i Shkodrës taksapagues i këtij vendi!?!
Nga të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Shkodra çdo vit kontribuon me të ardhura tatimore bruto TVSH, Tatim mbi fitimin, Tatim mbi te ardhurat personale, tx kombetare dhe tarifa, kontribute në sigurime shoqërore dhe shëndetesore me rreth 6 mld lekë në vit. Dhe nuk i celet as një fond prej 20 milion, i parashikuar në këtë vit.
Një investim, që u shpall për prokurim në vitin 2019, pa marrë leje, ishte “Rikualifikimi Urban i Hyrjes se Qytetit te Shkodres dhe Parkut per Pushuesit”, nje projekt i cili u anullua, megjithëse vazhdoi te ishte edhe në listën e investimeve në buxhetin e vitit 2020.
Gjatë fushatës elektorale të vitit 2021, ky projekt u reklamua me të madhe nga Partia Socialiste, por asnjë hap përpara nuk është bërë dhe nuk ka asnjë fond të planifikuar për këtë projekt në buxhetin e vitit 2022.
Kur është parashikuar të realizohet rikostruksioni i aksit Prekal-Lotaj-Kir?
A por edhe ky investim, mbetet ne premtimet elektorale?
Shkodra përmbytet nga kaskada e Drinit si pasojë e mungesës së investimeve në infrastrukturën mbrojtëse dhe shkarkuese.
Pse nuk merren në kosideratë përmbytjet e vazhdueshme të NënShkodrës dhe dëmi i shkaktuar në zonat e përmbytura? Pse nuk ka asnje investim për argjinaturën e mbrojtjes nga përmbytjet?
Mesa duket vizioni juaj për Shkodrën vazhdon të jetë ‘0 investime’.
Qarku i Shkodrës mbetet një nga qarqet me nivelin më të ulët të Prodhimit të Brendshëm Bruto në Shqipëri, për frymë prej 427 mijë lekë, një qark me potenciale te medha zhvillimi, por me shifra marramendese emigracioni si rezultat i lënies në harresë me qëllim, nga qeveria që duhet të përfaqësojë të gjithë Shqiptarët.
Një nga arsyet kryesore të kësaj varfërie, është shpërndarja e pabarabartë e investimeve publike në territor dhe mungesa e investimeve të huaja.
Nderrmarrjet aktive ne Shkoder, kane pësuar rënie nga viti në vit.
Për 4 vite ka një zbritje të numrit të nderrmarrjeve aktive mesatarisht me 1200, ku më shumë evidentohet tek personat fizikë, në fushën e shërbimeve.
Sot qytetaret dëshirojnë të largohen për shkak të varfërisë, pamundësisë për përballimin e rritjes së çmimeve, inflacionit zyrtar me 5.7%, papunësisë, përjashtimit social dhe korrupsionit.
Numri i nxënësve në shkollat 9-vjecare, të mesme dhe në arsimin parashkollor të Shkodrës, është ulur me rreth 4400 nxënës, që nga viti 2016. Qeveria është përgjegjëse për këtë shpopullim të Shqipërisë, për largimin masiv të të rinjve shqiptar. /Fjala e mbajtur në Kuvend në seancën e sotme nga deputetja e Shkodrës Emilia KOLIQI/