Kryeministri Edi Rama ka nisur turin e falënderimeve nga qyteti i Shkodrës, aty ku edhe PS fitoi për herë të parë bashkinë. Në fjalën e tij, Rama falënderoi të gjitha ata qytetarë që votuan dhe bënë ndryshimin.
Sipas tij, ata qytetarë shkodranë që bënë diferencën në këto vite votuan me mendje dhe jo me zemër.
Një porosi, Rama kishte edhe kryebashkian e zgjedhur, Benet Beci, për të cilin tha se bashkia duhet të jetë e të gjithë qytetarëve. Kryeministri u shpreh se ata demokratë që janë të zotët nuk duhet të preken.
“Ndërsa i kujtoi atij se vërtet e sollën në pushtet socialistet, por vetë është demokrat. Ata që ne na kanë votuar na kanë votuar me zemër, kurse pjesa që ka bërë diferencën ka votuar me mendje.
Ne e kemi detyrim dyfish që këtë që kanë bërë ata që nuk janë socialistë ta kthejmë në një investim apo në një shlyerje borxhi që duhet të ketë parasysh këtë fakt, që nga mënyra si Beneti do të qeverisë vetë bashkinë.
I kam thënë që Bashkia e Shkodrës do të jetë bashkia e të gjithëve dhe këtë duhet ta reflektojë jo thjesht në faktin që investimet bëhen per të gjithë, por në faktin që duhet një vlerësim i atyre burimeve njerëzore që janë aty dhe në bazë të meritës duhen ndarë të njomët me të thatët. Duhen ndarë ata që mund të jenë aty për arsye se kanë votuar PD, por që janë edhe njerëz të zot. Ata nuk duhet të preken. Ndërkohë që pjesa tjetër duhet ti lërë vendin të tjerëve që janë më të zot.
Është shumë e rëndësishme Benet, ty vërtet të sollën socialistet në pushtet, por mos harro që je demokrat. Unë besoj, nuk e vë dorën në zjarr, por besoj që Beneti ka votuar për veten dhe PS. Ndërkohë e vë dorën në zjarr që deri kur ishte në listën e deputetit ka votuar PD, pavarësisht se ishte drejtori i Fondit të Zhvillimit dhe vinte njëherë në javë në zyrën time”, tha nder te tjera Rama.