Në një fjalim për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mbajtur virtualisht, Presidenti amerikan Donald Trump tha se 75 vjet pas Luftës së Dytë Botëtore dhe themelimit të OKB-së, bota është përsëri e përfshirë në një luftë të madhe globale, atë kundër “një virusi të padukshëm”. trump
Presidenti Trump, tha se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë mobilizimin më agresiv që pas Luftës së Dytë Botërore, duke përmendur prodhimin e një numri rekord të respiratorëve, trajtimet që po zhvillohen, uljen e përqindjes në 5 për qind që nga prilli, dhe përpjekjen për zhvillimin e vaksinave që ai tha se janë në fazat përfundimtare të provave klinike.
“Ne do ta mundim virusin dhe do t’i japim fund pandemisë”, tha Presidenti Trump. Fjalimi i pararegjistruar, pjesë e një Asambleje virtuale të Kombeve të Bashkuara, jepej ndërsa numri i të vdekurve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara arriti në 200 mijë dhe vendi ka numrin më të madh të viktimave dhe të infektuarve në botë, 6.9 milionë. Presidenti Trump është kritikuar ashpër nga rivali i tij demokrat, Joe Biden për mënyrën si e ka trajtuar pandeminë.
“Ai po i nxit njerëzit që të mos ndjekin këshillat shkencore të ekspertëve të shëndetësisë. Presidenti duhet të japë dorëheqjen”, tha zoti Biden, duke shtuar se “nëse ai do të kishte vepruar më herët, do të kishte shpëtuar mijëra jetë njerëzish nga koronavirusi”.
Në fjalimin e tij, zoti Trump, që e quajti COVID-19-ën një virus kinez, tha se OKB-ja duhet ta vërë Kinën para përgjegjësisë si vendi që e “përhapi këtë murtajë” dhe kritikoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë për deklarata të rreme për virusin. Ai tha se ajo kontrollohet nga Kina.
Presidenti Trump tha se nëse OKB-ja do që të jetë efektive, duhet të përqendrohet tek problemet e vërteta të botës, përfshirë terrorizmin, shtypjen e grave, punën e detyruar, trafikun e drogës dhe atë të njerëzve, persekutimin fetar dhe spastrimin etnik të pakicave fetare.
“Amerika do të jetë gjithnjë një udhëheqëse për të drejtat e njeriut. Administrata ime po çon përpara lirinë fetare dhe mundësitë për grate”, tha ai duke shtuar se “ne e dime që mirëqenia e Amerikës është guri i themelit i lirisë dhe sigurisë së botës”. Presidenti Trump përmendi rritjen e ekonomisë para virusit dhe tha se Shtetet e Bashkuara po e bëjnë përsëri me shpejtësi një gjë të tillë. Ai përnendi gjithashtu edhe shpenzimet për ushtrinë dhe tha se SHBA rigjallëroi NATO-n ku vendet e tjera po paguajnë tani shumë të tepër në kuotat për aleancën. Në politikën e tij të jashtme, zoti Trump ka vënë në pikëpyetje publikisht vlerën e aleancave dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, Organizatën Botërore të Tregëtisë dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Mes atyre që i quajti suksese ndërkombëtare të administratës, Presidenti Trump përmendi marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Këtë muaj ne arritëm një marrëveshje paqeje mes Serbisë dhe Kosovës. Ne arritëm dy suksekse të mëdha me dy marrëveshjeje paqeje në Lindjen e Mesme”, tha ai duke iu referuar atyre të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin. Presidenti Trump foli gjithashtu edhe për përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Afganistan, ku forcat amerikane janë dislokuar që nga viti 2001. Sipas planeve të administratës, niveli i trupave amerikane në atë vend, do të ulet në 4,500 deri në nëntor.
“Shtetet e Bashkuara po punojnë për t’i dhënë fund luftës në Afganistan, duke i sjellë trupat në shtëpi. Amerika po kryen rolin e saj historik për vendosjen e paqes”, tha ai.
“Ne jemi më të fuqishëm se kurrë më parë”, tha Presidenti Trump duke shtuar se vetëm duke u kujdesur për qytetarët e tu, mund të arrish bashkëpunim të vërtetë.
“Unë me krenari vë Amerikën të parën, ashtu si edhe ju duhet të vini vendet tuaja të parat”, tha ai. Presidenti shprehu bindjen se vitin e ardhshëm Asambleja do të mblidhet si gjithmonë me praninë e udhëheqësve dhe se do të jetë një nga vitet më madhështore në histori. /VOA/