Partizani dhe Vllaznia luajnë nesër në 17:45 në “Elbasan Arena”. Sfida vlen për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Dueli është komentuar edhe nga trajneri i shkodranëve. Elvis Plori, në konferencë për shtyp ka konfirmuar mungesën e Gurishtës, ndërsa kërkon fitoren ndaj një kundërshtari që e respekton.
“Kupa me Partizanin – Kemi pritur për këtë mundësi, një sfidë me ta është gjithmonë e rëndësishme. Shpresoj që lojtarët të japin më të mirën dhe të fitojmë, është një kompeticion me dy takime. Kërkojmë të jemi në finale, ndeshja është e fortë sepse edhe Partizani këtë do.
Pauza – Kemi pasur disa mungesa nga sfida me Egnatian. Stafi mjekësor ka bërë më të mirën dhe sot do konkretizohet grupi i lojtarëve.
Kupa është një tjetër lojë, ta harrojmë atë me Egnatian dhe humbjen. Lojtarët do jenë në tjetër marsh. Gurishta është i konfirmuar se mungon, megjithë përpjekjet mjekesore.
Latifin e kemi lojtarin më të mirë të skuadrës edhe me statistika. Forma e tij dhe angazhimi janë një ndihmë e madhe për ne.
Fatet e sezonit – Çdo javë që kalon, tanimë kuptohet se intensiteti i ndeshjeve ka specifika. Të përqëndrohemi te ndeshja e radhës. Besoj se edhe lojtarët që kanë pasur problem, do jenë gati për në fundjavë me Kastriotin.
Barazim – Kemi një emër të madh përballë, edhe ne jemi Vllaznia dhe hyjmë në fushë për maksimumin. Jemi të fortë dhe duam të marrim maksimumin”, tha Plori.