Në Elbasan do të ndërtohet automotoparku i parë në Shqipëri, për të mundësuar edhe zhvillimin e garave ndërkombëtare si ato të Formula 1 në vendin tonë.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se në muajin shtator do të aplikohet për të pasur datën e garës së parë automotorrike më pistën e Elbasanit.
“Pasi kemi krijuar të gjitha kushtet, në shtator futemi në fazën zyrtare të aplikimit për të pasur datën zyrtare të eventit’, u shpreh ajo gjatë inspektimit të punime për ndërtimin e Drejtorisë rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Mat, ku i pranishëm ishte edhe kreu i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhe.
Zv/kryeministrja Balluku siguroi se infrastruktura që është duke u ndërtuar në zonën e pistës, që është pjesë e korridorit të 8-të, do të garantojë me siguri mbështetjen për këtë aplikim.
“Autostrada Elbasan-Qafë Thanë, që do të lidhë Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me Bullgarinë, do t’i japë edhe këtij aplikimi një peshë tjetër. Tashmë ka nisur puna edhe për projektimin e bajpasit të Elbasanit, i cili e nxjerr në Labinot Fushë të gjithë trafikun”, deklaroi Balluku.
Cirkuiti që pritet të ndërtohet sipas standardeve të FIA-s, pritet të jetë edhe një qendër indoor dhe outdoor, muzeu Retro, Autodromi dhe Kartodromi. Pjesë e projektit është dhe Akademia Motosporti dhe Akademia e Edukimit mbi Sigurinë Rrugore, ndërsa do të ketë në përbërje edhe poligone profesionale testimi, dhe zona sportive mjetesh ajrore ultra të lehta.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.