Bashkia e Shkodrës është aksionerja e vetme e klu bit të futbollit Vllaznia sh.a. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, në emër të institucionit që ajo drejton, ka shprehur gjithë gatishmërinë e saj për të bërë të mundur licencimin e klubit të futbollit për pjesëmarrjen në Kupat e Europës.
Numri një i Shkodrës, por edhe i klubit të futbollit ka folur edhe për mbështetjen që i duhet dhënë në këto momente ekipit të Vllaznisë. Situata në pesë takimet e fundit për kuqeblutë nuk ka qenë ajo e fillimit, por gjithsesi vendi në të cilin ndodhet, dhe për më tepër diferenca me ekipet ndjekëse, të lënë sërish të shpresosh te kjo skuadër.
Këtë gjë e shprehu edhe vetë presidentja “de jure” e klubit të futbollit Vllaznia sh.a., Voltana Ademi. “Ne po bëjmë maksimumin tonë që ekipit të mos i mungojë asgjë në çdo aspekt. Ata do të jenë të qetë në punën e vet. Ata kanë bërë më të mirën deri tani, pavarësisht luhatjeve. Unë kam besim tek ekipi, që do të paraqesin më të mirën e tyre deri në fund. Ne të gjithë duhet të besojmë te kjo Vllazni”, deklaroi në fund për gazetën Voltana Ademi.