Një 23-vjeçare është gjetur e pajetë në banesën ku jetonte me qira në lagjen “Ali Demi”, pasi kishte ardhur në Tiranë për të studiuar.
Kur ngjarja u bë publike me datë 18 maj, u aludua se viktima Evgjeni Baxho kishte ndërruar jetë si pasojë e një infeksioni në dhëmballë, por në dokumentin e Policisë Gjyqësore janë zbardhur detaje të frikshme.
Në dokumentin e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha thuhet se në momentin që në banesë kanë shkuar grupi hetimor me ekspertin kriminalistik dhe mjekun ligjor në trupin e viktimës janë vënë re disa shkrime.
“Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është vënë re në trupin e kufomës, në pjesën e barkut një shkrim i panjohur, i bërë me lapostil me ngjyrë të kuqe nga kërthiza deri në pjesën e ezofagut. Po ashtu gjatë autopsisë në pjesën e shpinës së kufomës janë vërë re tre shkrime të tjera të panjohura, të bëra po ashtu me lapostil të kuq”, thuhet në dokumentin e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha.
Më tej thuhet se në cilësinë e provës materiale janë janë sekuestruar dy telefonat tip Samsung në pronësi të viktimës, një laptop i saj, një tampon steril me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut dhe një fletë format A4 e shkruar me stilolaps blu. Po ashtu edhe disa fletë të tjera me simbole dhe figura të panjohura të shkruara me ngjyrë të kuqe dhe jeshile.
“Gjatë këqyrjes së banesës në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy telefonat tip Samsung në pronësi të kufomës dhe një laptop i saj. Po ashtu janë sekuestruar një tampon steril me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut për të cilën është bërë vendimi biologjik. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një fletë format A4 i shkruar me stilolaps blu dhe disa fletë të tjera me simbole dhe figura të panjohura të shkruara me ngjyrë të kuqe dhe jeshile dhe objekte të tjera të ngjashme”,thuhet tek dokumenti i oficerit të Policisë Gjyqësore.
Grupi i hetimit shton për ngjarjen në fjalë se gjeti pranë vajzës një recete, një raport të marrë nga instituti shëndetësor të firmosur në datën 12 maj, një fletë e bardhë e shkruar me shkrim dore me stilolaps blu, që fillon me fjalët:
“Vet nga fjala virtualizëm ‘ dhe përfundon me shkronja shtypi “DISK DEFRAGMENT’ .
Burimet e TCH thonë se letra ka 16 rreshta ku pas numrit 4 shkruhet “borë metal”.
Ndërkohë për ngjarjen në fjalë është marrë në pyetje një 26 vjeçar me inicialet S.S.
Në dëshminë e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, 26 vjeçari ka thënë:
‘E kam njohur Evgjeni Baxho, pasi punonte tek Vodafone dhe e kam njohur pasi i çoja kafen tek dyqani. Më pas ka patur raste kur ishte kohë me shi dhe ajo më thoshte që kur ta mbaronte punën ta çoja deri afër shtëpisë dhe unë e kam çuar me makinë deri afër shtëpisë. Ndonjëherë kam dalë për kafe por marrëdhëniet me të ishte vetëm shoqërore. Në lidhje me Evgjeninë di që jetonte me një shoqe të quajtur Anxhela dhe më pas jetonte vetëm. Nuk dija të kishte të dashur.
Ditën e dielë duke qenë se ajo kishte 10 ditë që nuk kishte ardhur në punë i shkrova në instagram dhe e pyeta nëse do dilte për kafe.
Pranoi dhe dolëm për kafe në Farkë. E kam pyetur për shëndetin dhe më tha që i dhimbnin pak bajamet dhe kam vënë re që ishte pak e enjtur tek buza.
Nuk kemi qëndruar shumë pasi bënte freskët dhe ndërkohë e mori edhe tezja në telefon, të cilës ja mbylli telefonin dhe Evgjenia tha ‘hajde çohemi se do vete pak tek tezja’.
Jemi çuar dhe më pas nuk kam kontaktuar më me të. Ajo më tha se ditën e nesërme do shkonte në një klinikë private për të bërë analizat dhe për të bërë vizitën dhe me siguri do shkonte dhe në punë”.
Policia: A të ka thënë që do shkonte doktori ta vizitonte në shtëpi?
S.S: Jo nuk ma ka thënë diçka të tillë
Policia: A keni vënë re nëse Evgjenia shoqërohej me ndonjë person në moshë të madhe?
S.S: Jo nuk e kam parë ndonjëherë me ndonjë person në moshë të madhe.
Policia: A keni vënë re ndonjë vizatim të bërë nga Evgjenia në trupin e saj ?
S.S: Jo nuk kam parë ndonjë vizatim dhe as nuk e kam vënë re.
Policia: A keni dijeni nëse Evgjenia frekuentonte ndonjë lloj besimi?
S.S: Nuk kam informacion për këtë . Ne kur dilnim për kafe bënim muhabet në lidhje me punën ose familjen dhe nuk kemi bërë ndonjëherë muhabet për tema të tjera.
Materialet procedurale në lidhje me këtë ngjarje i kanë Prokurorisë pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë deri në dalje të aktit të ekspertimit për shkakun e humbjes së jetës. /TCH/