Qeveria shqiptare po ndjek një strategji komunikimi kundërthënëse për t’i shpjeguar publikut shqiptar atë që ndodhi në takimin e Luksemburgut me negociatat.
Nga njëra anë Rama dhe Bushati po e shesin verdiktin e marë si fitore. Ata brohorasin për premtimin se negociatat do të hapen qershorin e ardhshëm. Ata thonë me krenari se ulja në tryezën e bisedimeve ndërqeveritare do të bëhet pas 18 muajsh. Pra ky rrëfim mbështetet në tezën e një suksesi të pamohueshëm.
Por, nga ana tjetër ekziston edhe një rrëfim i dytë, ai i justifikimit të dështimit që po përpunohet me anë të mediave pro qeveritare.
Fakti se vendit tonë do t’i duhet të presë së paku edhe një vit, se mbi të rëndojnë sërish kushte që duhen ekzaminuar, se e ardhmja nuk është aspak e sigurtë dhe fakti se data e premtuar mund të mos bëhet kurrë datë e ekzekutuar, e ka detyruar qeverinë të përpunojë edhe një version disi më konspirativ.
Sipas kësaj narative, qarqe albanofobike, që përdorin standarte të dyfishta nga ato që kanë zbatuar për Serbinë dhe Malin e Zi, që nuk i duan as Shqipërinë dhe as Kosovën, sepse janë myslymanë, e penalizuan vendin tonë pa të drejtë.
Në fakt, në këtë shpjegim që po infiltrohet mediatikisht, jo të gjitha faktet janë për t’u neglizhuar.
Askush nuk mund t’a mohojë se insistimi negativ i Francës dhe Holandës deri minutat e fundit të Këshillit të Marëdhënieve të Përgjithshme, nuk qe pre e halleve të politikës së tyre të brendëshme.
Askush nuk mund t’a mohojë se rritja e forcave të ekstremit të djathtë dhe forcimi i tyre përpara zgjedhjeve të parlamentit europian në verën e ardhshme, kanë qenë shqetësime parësore në vendimarrjen e Macronit dhe Mark Ruttes.
Askush nuk mund ta mohojnë se në minutat e fundit, në Luksemburg, u gjet një zgjidhje që do t’i lejonte këta udhëheqës europianë t’i thoshin elektoratit të tyre se Shqipërinë e penguan dhe nga ana tjetër, qeveritarëve tanë të bërtisnin se negociatat u hapën.
Pra, në këtë këndvështrim, mund të thuhet me plot gojën se, vendimi për ne nuk u mor vetëm mbi performancën e qeverisë, mbi arritjet apo mëkatet e saj, por ai qe gjithëashtu pjesë e një politike më të madhe që i kapërcen interesat dhe fatin e Shqipërisë.
Pikërisht në këtë pikë do të duhej të niste një debat racional, i arsyeshëm dhe produktiv për verdiktin negativ që morëm nga Europa.
Në një debat të tillë do të duhej të diskutohej se ku është sakrifikuar ëndrra jonë për lojën e politikës së brendshme të Francës apo Holandës? Se deri në ç’pikë insistimi i tyre ka qenë vendimtar?
Por më tej, do duhej të kishim pasur edhe një debat tjetër: atë se pse ne qenkeshim shëndërruar në problem për një pjesë të konsiderueshme të elektoratit francez dhe holandez? A kemi përgjegjësi që jemi kthyer në eksportuesin kryesor të kriminalitetit në vendin e tulipanëve? A kemi përgjegjësi që çojmë më shumë azilkëkrues në Francë se sa vendet në konflikt, si Siria apo Iraku? A jemi në gjendje ne t’a shmangim imazhin e një qeverie të lidhur me drogën dhe të një kryeministri që luftën ndaj krimit e ka shndërruar në farsë, siç u tregonte lexuesve francezë e përditshmja Liberation.
Ky lloj bilanci, se ku n’a kanë rënë qafë me pa të drejtë, por mbi të gjitha dhe sidomos për këtë: se ç’duhet të rregullojmë vetë që ky dështim të mos përsëritet, do të kishte qenë terapia më e mirë pas kësaj disfate. Por, ky debat real u la krejtësisht në hije. Sepse Edi Rama zgjodhi edhe njëherë rrugën e mashtrimit, për të bërtitur fitore. Dhe prandaj ai tani është detyruar të përdorë një strategji komunikimi paradoksale: nga njëra anë të shpallë suksesin dhe nga ana tjetër të prodhojë teori konspirative që justifikojnë dështimin. /Nga Andi BUSHATI, Lapsi.al/