Besojeni apo jo, por Ballkani i Suharekës në Kosovë pret me shumë interes zhvillimet në klubin e Vllaznisë dhe Skënderbeut.
Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta, se në rast të lëkundjes së pozitave të trajnerit Tomas Brdariç me shkodranët, klubi kosovar e ka prenotuar që tani.
Edhe pse është nën kontratë me Vllazninë, sërish në klubin kosovar po presin se çfarë do të ndodhë deri në ditët e para të janarit.
Deri më tani nuk është dhënë asnjë sinjal për një largim të mundshëm të gjermanit nga Vllaznia, por çdo gjë mund të ndodhë dhe jo më kot në Kosovë po presin zhvillimet e reja.
Madje, agjentët që kërkojnë të joshin gjermanin i kanë garantuar se do të ketë një pagë që varion nga 8 deri në 11 mijë euro në muaj.
Megjithatë, për momentin janë vetëm hipoteza, sepse trajneri ka një kontratë në fuqi me Vllazninë dhe ka thënë disa herë se është i lumtur në Shkodër.
Por, te Ballkani kanë edhe një plan B. Bëhet fjalë për trajnerin e Skënderbeut, Migen Memelli, i cili po bën një punë të mirë në Korçë.
Raportet mes drejtuesve të të dyja klubeve janë shumë të mira dhe ndoshta trajneri pogradecar ka më tepër mundësi të jetë në krye të Ballkanit.