Data 31 dhjetor 2018 ka qenë dita e fundit në detyrë si nënkryetar i Bashkisë Shkodër për Dritan Metën. Ka qenë vetë ai që ka njoftuar stafin e Bashkisë Shkodër për këtë fakt, duke shpërndarë një mesazh të shkurtër në grup. Mes të tjerave, nënkryetari Meta shprehej se “kam qenë i nderuar me punu me ju për këto 3 vite dhe shpresoj që 2019 të jetë një vit edhe ma i mirë, ma me shpresë e i begatë për të gjithë”.
Pavarësisht se zyrtarisht është mësuar me 31 dhjetor 2018, dorëheqja e Dritan Metës është depozituar në zyrën e kryebashkiakes Ademi në ditët e para të muajit të fundit të vitit që lamë pas. Natyrisht, dorëheqja e një nënkryetari mund të ngjallë aludime të ndryshme apo hamendësime për shkaqet. Në fakt, në këtë rast, është shumë e thjeshtë dhe nuk ka asnjë “mister”. Dritan Meta do të nisë punë në një institucion privat financiar.
Meta ishte njëri nga 4 nënkryetarët e Bashkisë Shkodër bashkë me Emilia Koliqi, Arben Gjuraj dhe Fatbardh Sheqi. Ndërkohë, akoma nuk ka informacion se si do të veprojë kryebashkiakja Ademi: Do ta plotësojë vendin e lënë bosh apo do të vazhdojë drejtimin e Bashkisë Shkodër me 3 nënkryetarë.
Me këtë rast, ShkodraWeb i uron Dritan Metës gëzuar vitin e ri 2019 dhe suksese në detyrën e re, tanimë në sektorin privat!