KQZ zhbën dekretin e Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve. Ndërkohë që kryetari i KQZ-së Klement Zguri është larguar në mënyrë demonstrative nga mbledhja duke thënë se asnjëherë më parë dekreti i Presidentit nuk është vënë në diskutim, ka qenë nënkryetari Denar Biba, përfaqësues i PS që ka drejtuar mbledhjen.
Biba e quajti dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta një akt administrativ absolutisht të pavlefshëm, duke akuzuar Kreun e Shtetit se refuzon të zbatojë urdhërimin kushtetues për caktimin e një date zgjedhjeje.
“Vetëm 20 ditë para datës së zgjedhjeve Presidenti ka vendosur shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve në 30 qershor. Ky dekret i dytë që shfuqizon dekretin e nëntorit, është një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm.
Duke shfuqizuar sot dekretin e nëntorit, Shqipëria është pa datë zgjedhjesh. Kompetencat janë të përcaktuara me ligj, ushtrimi i tyre i detyrueshëm. Presidenti me vetëdije refuzon të zbatojë urdhërimin kushtetues. Akti administrativ absolutisht i pavlefshëm konsiderohet se nuk ekziston”, tha ndër të tjera Biba.
Ai tha më tej se “KQZ ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit”, e duke qenë se maxhoranca ka shumicën në KQZ, vendimi është i parashkruar.
“Unë vlerësoj që KQZ ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor. Unë vlerësoj që KQZ ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor, sikundër kushtetuta e vlerëson KQZ ka detyrimin, nuk e kemi opsion, kemi detyrim të vijojmë punën për t’i çuar shqiptarët të shkojnë të votojnë për të zgjedhurit lokalë. Kemi detyrimin t’ua mundësojmë këtë”, tha Biba.