Kursimet në valutë të shqiptarëve arritën një nivel rekord në vitin 2017, sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë.
Depozitat në valutë, pjesa më e madhe e të cilave janë në euro ishin 527 miliardë lekë, ose gati 4 miliardë euro, me një rritje të lehtë prej 0.3% me bazë vjetore.
Në vitin 2015, për herë të parë kursimet në valutë i kaluan ato në lekë, ndërsa në fund të 2017-s, pesha e tyre arriti në 53% të totalit, me rritje një pikë përqindje në raport me një vit më parë.
Më se 10 vjet më parë, në 2016-n, kursimet në valutë të shqiptarëve përbënin vetëm 36% të totalit të depozitave në sistemin bankar në vend.
Rritja e shpejtë e tyre vitet e fundit, në një kohë që kursimet në lekë erdhën në rënie për shkak të uljes së interesave të depozitave (sot ato janë më pak se 1% për kursimet 12 mujore) ishin arsyet kryesore që çuan në këtë tendencë.
Emigrantët kanë qenë historikisht burimi kryesor i prurjes së valutës në Shqipëri.
Gjithnjë në gusht dhe në dhjetor-janar ka një rritje të depozitave në euro, kohë që përkon me kthimin e emigrantëve në vendin mëmë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, pjesën më të madhe të kursimeve në valutë e zotërojnë individët, me 82% të totalit, ose 430 miliardë lekë, (rreth 3.2 miliardë euro).
Sipas statistikave të fundit të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave totale në fund të muajit dhjetor ishte 1 trilion lekë, duke rënë me 1.3% apo 13 miliardë lekë (gati 100 mln euro) në krahasim me dhjetorin e 2016-s.
Rënia në 2017-n ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e uljes së kursimeve në lekë, të cilat u reduktuan me 14 miliardë lekë, ose gati 3%. Kjo është hera e parë që depozitat shënojnë rënie në historinë shqiptare të pas tranzicionit.
Plani i BSH-së kundër euros
Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë ka miratuar së fundmi tre masa, zbatimi i të cilave do të frenojë përdorimin e euros në ekonominë vendase.
Masat kanë të bëjnë me kufizimin e kredisë në valutë dhe rritjen e kërkesës për kapital në këtë valutë, duke e bërë euron më të shtrenjtë për t’u mbajtur nga bankat.
Këto të fundit do të tentojnë të shkurajojnë depozitat, që janë burimi parësor i financimit të kredive.
Konkretisht, Banka e Shqipërisë ka identifikuar, ka konsultuar me bankat dhe miratoi së fundi disa masa, që përfshijnë:
– ndryshimin e normës së rezervës së detyrueshme. Më konkretisht, përcaktohet rritja e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë në nivelin 12.5% (ishte 10%), dhe ulja e saj për detyrimet në lekë në nivelin 7.5% (ishte 10%).
Për bankat ku detyrimet në valutë zënë më shumë se 50% të detyrimeve totale, vetëm për vlerën e ndryshimit pozitiv, norma e rezervës së detyrueshme në valutë rritet në 20%;
– rritjen e kërkesës minimale rregullative për vlerën e aktiveve likuide në valutë. Më konkretisht, për aktivet likuide në valutë do të kërkohet që të jenë jo më pak se 20% e detyrimeve afatshkurtra ne valutë (ishte 15%), ndërsa për aktivet likuide në lekë, niveli i raportit do të ruhet në 15%;
-rritjen e ndërgjegjësimit të huamarrësve për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Më konkretisht, bankave do t’iu kërkohet që: t’i propozojnë huamarrësit një kredi alternative në lekë; ta pajisin atë me një shembull konkret se si ndryshon kësti i kredisë në rastin e nënçmimit të lekut (me vlera të përcaktuara); të ofrojnë opsionin për përdorimin e mekanizmave që zbusin rrezikun e kursit të këmbimit për kredimarrësin, në rastin kur plotësohen kushtet që janë dakordësuar nga banka dhe huamarrësi. /Monitor/