Në tre muajt e parë të vitit, standardet e kredisë si për qytetarët, edhe për biznesin, janë shtrënguar. Pavarësisht se kërkesa për hua ka qenë e lartë, kushtet për të marrë kredi për shtëpi apo kredi konsumatore kanë qenë më të vështira.
Të dhënat jepen nga Banka e Shqipërisë në raportin e vrojtimit të aktivitet kreditues për 3 muajt e parë të 2018. Në analizën e Bankës së Shqipërisë, theksohet se edhe për 3-mujorin e dytë e vitit kushtet e kredisë për shtëpi dhe konsum do të vazhdojnë të jenë të shtrënguara.
Bankat presin që për 3-mujorin e dytë të ketë rënie të aktivitetit kreditues, si dhe rritje të interesave si për huan në lekë dhe valutë.
“Në tremujorin e dytë të vitit 2018, bankat presin shtrëngim të standardeve të kreditimit si për bizneset, ashtu edhe për individët. Në tremujorin e dytë të vitit 2018, bankat presin një ngadalësim të aktivitetit kreditues, si në monedhën vendase, ashtu edhe atë të huaj. Për të njëjtin tremujor, normat e interesit të kredisë priten më të larta, si në lekë, ashtu edhe në valutë”, thuhet në raportin e vrojtimit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, faktorët që kanë ndikuar në shtrëngimin e standardeve të kredisë dhënë për individë ishin: gjendja financiare e individëve, situata në tregun e pasurive të paluajtshme, si edhe kreditë me probleme.
Nga ana tjetër, niveli i likuiditetit, mjaftueshmëria e kapitalit të bankave dhe konkurrenca në sektorin bankar kanë vepruar në kahun lehtësues të standardeve të kreditimit edhe për këtë tremujor. Kërkesa për kredi nga qytetarët, në tremujorin e parë të vitit 2018, është raportuar më e lartë, si për kredi për blerje banese, ashtu edhe për kredi konsumatore.
Kërkesa për kredi pritet të jetë në rritje edhe në tremujorin e ardhshëm. Sipas raportit të vrojtimit, faktorët me ndikim shtrëngues në standardet e kredisë për biznese ishin problemet specifike të sektorit, ku vepron biznesi, perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike, kreditë me probleme, si edhe mjaftueshmëria e kapitalit. Ndërsa konkurrenca në tregun bankar rezultoi si faktori i vetëm me ndikim pozitiv në lehtë- simin e standardeve të kredisë për bizneset gjatë këtij tremujori.