Ditën e premte, 16 qershor 2023, Shkodra do të nisë një etapë të re në qeverisjen e saj vendore. Pas rreth 32 viteve qeverisje nga e djathta dhe PD- ja, Bashkia e Shkodrës do të nisë një 4- vjeçar të administrimit nga Partia Socialiste dhe e majta.
Mbledhja që do të nisë në orën 11.30, parasheh në rendin e ditës 5 pika. Punimet e saj, do të nisin nën drejtimin e këshilltarit më të moshuar në sallë, i cili pritet të mbajë një fjalë të shkurtër përshëndetëse, siç është tradita të paktën.
Në vijim zgjidhet Komisioni i Mandateve, i përbërë nga këshilltarë të forcave të ndryshme politike në këshill. Pas miratimit të mandateve dhe betimit të këshilltarëve në sallë, do të kalohet në zgjedhjet e kryetarit dhe zëvendëskryetarëve të Këshillit Bashkiak.
Siç dihet, pas zgjedhjeve të 14 majit, shumica është e PS+ PSD që së bashki kanë 30 nga 51 mandatet e këshillit. Me gjasë, tashmë është dakordësuar për emrat e drejtuesve, ndërsa pritet që një post si zëvendëskryetar të marrë edhe opozita e këshillit.
Sipas rendit të ditës, do të bëhet shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të Bashkisë Benet Beci, i cili do të bëjë edhe betimin, duke marrë zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut. Shiritin e kryetarit të Bashkisë, e vendos kryetari i Këshillit Bashkiak.
Pikë e fundit, ndoshta edhe më interesante, është ajo e zgjedhjes së këshilltarëve që do të përfaqësojnë Bashkinë Shkodër në Këshillin e Qarkut. Me gjasë, PS+ PSD kanë arritur marrëveshje dhe kanë numrat për të zgjedhur të preferuarit e tyre.
Nga emrat e përzgjedhur, do të jetë edhe kryetari i ri i Këshillit të Qarkut Shkodër, ndërsa është me interes të mësohet nëse e majta do të ketë sumicën në këtë institucion. Në disa raste, kjo pikë e rendit të ditës është shtyrë për mbledhjen pasardhëse.