Antarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike do të zgjedhin më 4 dhjetor emrat e kandidatëve zyrtarë për kryebashkiakë. Në një proces, që sipas statutit quhet “Primare”, anëtarësia dhe simpatizantët do të zgjedhin mes disa emrave, ndërsa kandidati me numrin më të madh të votave do të vendoset përballë kandidatëve të PS për 61 bashkitë.
Në fakt, nuk do të votohet në kaq bashki, pasi 4 bashki të vendit, Himarë, Finiq e Dropull i lihen në dorë PBDNJ- së së Vangjel Dules dhe Pustec, që i lihet partisë minoritare maqedonase. Çuditërisht, edhe Malësia e Madhe konsiderohet “minoritare” si bashki, teksa i bashkohet 4 të tjerave pa u zhvilluar primare.
Në fakt, kjo degë është e vetmja në Shqipëri që nuk ka përfunduar as riorganizimin sipas projektit të Rithemelimit të PD- së, teksa dy herë procesi i zgjedhjeve ka dështuar.
Realisht, ka patur një kandidat të vetëshpallur për primaret, pikërisht Isa Rama, ish- kryekomunar i Komunës Qendër në Malësi të Madhe, emër që mesa duket nuk është marrë parasysh nga kryesia e PDSH- së. Kështu, PD duket se tërhiqet zyrtarisht nga gara, duke ia lënë në dorë ndonjërit nga aleatët, me gjasë LSI- së, duke konfirmuar praktikisht fitoren e tretë radhazi të kryetarit të detyrë të PS- së Tonin Marinaj.
Ose, Malësia e Madhe “në heshtje” është lënë “zonë e lirë” për grupimin Alibeaj, nisur nga fakti se kryetari i PD- së përfaqësues i këtij fraksioni, ka treguar se ka potencë të madhe politike përderisa Rithemelimi nuk ia ka dalë të përfundojë ristrukturimin si në bashkitë e tjera.