Më 6 mars do të ketë zgjedhje të pjesshme në 6 bashki. Bazuar në Kushtetutë dhe në legjislacionin mbi qeverisjen lokale dhe atë zgjedhor, në bashkinë Shkodër zgjedhjet e pjesshme do të duhej të zhvilloheshin me 10-15 shtator 2019, zgjedhjet në Vorë në nëntor 2019, zgjedhjet në Durrës në fundin e janarit 2020, zgjedhjet në Rrogozhinë në mars 2020, zgjedhjet në Dibër në maj 2021 dhe zgjedhjet në Lushnje në gusht 2021. Në Shkodër e Vorë kryetarët e zgjedhur u shkarkuan nga dekriminalizimi, në Durrës pati dorëheqje, në Dibër kandidim për deputet, në Rrogozhinë ndarje nga jeta dhe në Lushnje arrestim për korrupsion. Prej asaj periudhe, bashki si Durrësi apo Vora kanë ndryshuar 3-4 kryetarë të emëruar nga mazhoranca, ndërsa në Shkodër ka vijuar detyrën kryetarja me mandat 2015-2019. Të dhënat e mësipërme janë tregues I një situate ekstra kushtetuese dhe ekstra ligjore, që mund të kuptohet vetëm në kontekstin shqiptar të leximit dhe interpretimit të Kushtetutës dhe ligjit.
Për të qenë korrekt, duhet thënë se Presidenti ka shkelur ligjin duke mos dekretuar në kohë zgjedhjet e pjesshme vendore, qeveria ka shkelur ligjin duke mos njoftuar zyrtarisht vendimet e shkarkimit, KQZ ka shkelur ligjin duke mos njoftuar vakancat, partitë kryesore kanë hequr dorë nga e drejta dhe detyrimi ligjor për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe zgjedhje të pjesshme, ndërsa prefektët në pesë bashkitë dhe këshillat bashkiakë, kanë shkelur ligjin duke mos kërkuar rivendosjen e regjimit kushtetues dhe ligjor në bashkitë përkatëse. Në një klimë ku të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë kanë shkelur ligjin, zgjidhja e gjetur, dekretimi i zgjedhjeve të 6 marsit 2022, është sa e sforcuar, aq edhe pa sens dhe fyese për konceptin e institucionit të zgjedhjeve.
Kandidatët dhe subjektet politike që janë regjistruar për zgjedhjet e 6 marsit po hyjnë në një fushatë për një mandat 1 vjeçar, pasi në të njëjtën periudhë të vitit të ardhshëm nisin përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme vendore në Shqipëri. Pra, kryetarët e zgjedhur me 7 mars në bashkitë e reja, do të kenë mandat 1 vjeçar, – një periudhë kaq e shkurtër sa e bën të pavlefshme pritshmërinë që kandidatët të kenë program elektoral, të bëjnë fushatë programore apo të arrijnë të mbajnë premtimet e tyre. Çdo kryetar i ri në 6 bashkitë e gjen buxhetin vjetor të miratuar, strukturën e plotësuar, tenderat dhe prokurimet e kryera, projektet në zhvillim apo mbyllje dhe axhendën kryesore të përcaktuar nga kalendari vjetor.
Në aspektin financiar, zgjedhjet e 6 marsit do t’i kushtojnë shqiptarëve më shumë se 200 milionë lekë nga buxheti shtetëror qendror dhe lokal, shpenzime për KQZ dhe infrastrukturën, për testin elektronik në Vorë, për monitorimin dhe administrimin e votës, pa llogaritur miliona euro të kandidatëve dhe të partive politike në fushatë elektorale dhe për komisionerët/numëruesit e tyre. Shpenzime të tilla të larta për vendin më të varfër kandidat për në BE, janë luks i madh, mungesë respekti për nevojat dhe prioritetet e vendit dhe një tregues i kulturës para-demokratike dhe para-shtetërore të vendimmarrësve politikë.
Çfarë pritet më 6 mars? Të vendoset legjitimiteti në 6 bashki? Jo, kryetari 1 vjeçar nuk mund të ndryshojë asgjë, këshilli bashkiak njëpartiak mbetet i vjetri dhe bashkitë e reja janë po aq legjitime dhe problematike sa bashkitë e vjetra. Të mirëqeverisjen 6 bashkitë e reja? Jo, nuk ka asnjë garanci se rizgjedhja e kryetarëve të komanduar apo zgjedhja e të rinjve do të ndryshojë nga modeli i drejtimit aktual, për më tepër, ne kemi bashki solide në mandate që janë modele korruptive dhe keqqeverisjeje, ndaj procesi zgjedhor konfirmues ose zëvendësues nuk ndikon në këtë standard. Të përmirësohen shërbimet lokale? Jo, 6 bashkitë janë zyrtarisht në borxhe të mëdha, zgjedhjet do ta thellojnë borxhin dhe mundësitë e tyre për të rritur të ardhurat janë shumë më të pakta sesa në 55 bashkitë, në të cilat nuk do të ketë zgjedhje.
Të konfirmojë mazhorancën e majtë? Jo, ajo qeveris në 60 nga 61 bashki, përfshirë gjysmën e Shkodrës (ka 100% këshillin bashkiak dhe drejtoritë rajonale), ndaj një fushatë e tillë 6 muaj pas konfirmimit në mandatin e tretë dhe pa opozitë solide politike, nuk është dhe nuk mund të jetë test politik. Të testojë forcën e PD së B1 dhe PD së B2 se cila prej tyre përfaqëson më shumë opozitën? Jo, sepse nuk do të votojnë anëtarët e PD dhe pjesa gri, por do të votojnë të gjithë qytetarët me ambicie politike, ndaj numri i votave pro njërës dhe tjetrës palë është rezultat i kalkulimeve politike dhe aleancave formale dhe informale, jo i një vote cilësore dhe me identitet të djathtë/opozitar.
Nëse dy pjesët e PD do të donin të bënin test, zhvillonin zgjedhje me të gjithë anëtarësinë e tyre për të kuptuar se cila palë është më legjitime dhe më përfaqësuese. Ato e refuzuan këtë formulë klasike dhe të vjetër sa demokracia, duke shpikur zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki, pra duke ia besuar fatet e veta politike ndonjë “të forti” lokal si PSD në Shkodër, miqtë e saj në Dibër, apo grupeve me rekorde edhe kriminale në Durrës.
Zgjidhja e arsyeshme? Së pari, rasti i 6 marsit duhet të jetë mësim për të ndryshuar legjislacionin vendor dhe zgjedhor, për të evituar zgjedhjet e pjesshme kur dorëhiqet ose shkarkohet kryetari. Modele të shumta europiane, përfshirë ata rajonalë si Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, etj, vendin vakant e zënë duke zgjedhur një kryetar nga këshilli bashkiak (shumica legjitime), jo duke bërë zgjedhje sa herë shkarkohet/arrestohet një kryetar. Reforma kërkon edhe heqjen dorë nga modeli i zgjedhjeve lokale si zgjedhje kombëtare.
Përse duhet të ketë zgjedhje në një ditë në të gjithë vendin dhe jo sipas parimit, zgjedhje lokale aty ku ka përfunduar mandatin kushtetues, pra në varësi nga zgjatja e mandatit 4 vjeçar. Modele të tilla aplikohen në Gjermani dhe Itali, si dhe në shumicën e vendeve europiane, Shqipëria nuk mund të vijojë të jetë unike edhe në praktika zgjedhore. Evitimi i zgjedhjeve të pjesshme, p.sh, dy vitet e dyta të mandatit, do të sillte kursim financiar, stabilitet qeverisës dhe më shumë llogaridhënie për subjektin politik dhe fituesit e zgjedhjeve.
Së dyti, zgjedhjet për kryetarë bashkie janë të vetmet zgjedhje ku qytetari vërtet mund të zgjedhë, kurse legjislacioni ynë dikton konkurrimin e detyruar kombëtar, pra krijon akses vetëm për partitë e mëdha kombëtare, PS dhe PD. Shqipëria duhet të reformojë legjislacionin duke mundësuar grupeve civile e qytetare lokale të aspirojnë politika lokale, të krijojnë parti ose lëvizje me kandidatë lokalë, pra të zgjerohet baza e konkurrimit dhe të decentralizohet pluralizmi politik i Tiranës.
Së treti, debati absurd mbi të drejtën e konkurrimit, logot dhe siglat e 6 marsit, duhet të çoj në reformimin rrënjësor të legjislacionit të partive dhe legjitimitetit të vendimmarrjes në strukturat e tyre.
Së fundi, koncepti i dekriminalizimit është futur në Kushtetutë dhe ligj për të shpëtuar imazhin dhe legjitimitetin e institucioneve nga ndikimet e krimit. Ata që investojnë për të kundërtën, meritojnë ndëshkim ligjor për dëmin e sjellë ndaj vendit, institucioneve dhe demokracisë. Nëse një parti nuk ka një burrë dhe/ose një grua në çdo tre vende në listë, e pezullojmë nga e drejta e konkurrimit, por nëse ka një burrë dhe/ose grua me rekorde kriminale në çdo tre vende në listë ajo mund të jetë fituese dhe quhet parti legjitime. Edhe në rastin e dekriminalizimit penaliteti duhet të jetë i njëjtë së paku me penalitetin gjinor, me heqjen e të drejtës së drejtimit ose marrjes së mandatit të një partie politike kryetari i bashkisë/deputeti i të cilës në atë zonë humbet mandatin për shkak të dekriminalizimit. /Publikuar në Facebook nga Afrim KRASNIQI, ISP/