Me një furgon tip “Sprint”…afro 18 veta, sa kujtoj 15 ishin të huaj (gjermanë, polake, çekë, belg, holandezë…tour i YMCA) do i shoqëroja jashtë qytetit, në Shirokë dhe në Kalanë e Rozafës… Përpara se të ngjiteshim në kala kishim “kurdisur” një drekë të shpejtë, e cila për arsye shiu, po zgjatej si me porosi e po kënaqeshim mjaft në një nga restorantet me emër për gatimet e peshkut, veçmas krapit…thuajse në mes te rrugës Shirokë-Zogaj.
Lokali ndodhej djathtas poshtë rrugës e kishte një largësi të mjaftueshme nga bregu, afro 7-8 m. Zbritja në lokal kalonte nëpërmjet disa shkallëve. Lokali kishte mjaft hapësirë dhe ndarja me pamjen nga liqeni ishte tërësisht prej xhami. Ambjenti ishte mjaft i ornamentur, i pastër dhe komod. Nuk ishte vetëm peshku, ku në më të shumtën kishin porositur e po e pëlqenin mjaft gatimin e tavës së krapit…por pamja e liqenit, në atë ditë të çuditshme që do të mbetet gjatë në kujtesën time.
Liqeni vërtet nuk kishte dallgë, por kishte një erë rrafsh me ujin, që thithte ujin si një tornado, krijonte spirale dhe figura artistike të papara e i vërtiste me gjithë fuqinë në krejt hapësirën e sipërfaqen e liqenit…një shkumë gjigande, një mjegull shiu, si pluhur i diamantë përplasej sa me liqenin, po aq furishëm me molon, me brigjet, shkëmbinjtë, me varkat, baret, një suferinë e vertetë, fishkëllente e haptas sfidonte paqen e Taraboshit, këtij mali të heshtur, babaxhan e i mësuar me këto lojra të këtij amfiteatri liqenor…
Ishte një pamje që ne po e shijonim në vetratat e xhamta të restorantit… Sfericiteti i mijëra pikave të shiut që përplaseshin me xhamat, realizonte rrëke në miniaturë, trille të natyrës si të donin të ngacmonin imagjinatën e fantazinë tonë… Po dyshoja nëse sa ishim po surprizoheshim më shumë me këtë shfaqje brilante, artistikisht e paregjizuar, përpos sjelljes së natyrës me kapriciot e saj…të papërsëritshme…se sa me kurmat e krapit, verën apo bisedat. Qe kjo mpleksje pune, eksperiencash, shije e drekës dhe pamje e natyrës, që po e bënte tepër të këndshme këtë ditë…që për nga intensiteti e variacionet s’do doja të mbaronte kurrë…
Ndofta vetëm eksperiencat e detarëve të vërtetë mund të mos e kishin lakmi këtë pamje. Sa do të doja të ma shpjegonte një poet nëse do e shihte nga lartësia e Taraboshit këtë pamje vezulluese, re dhe erë triumfuese, zotëruese e me fuqi poisedon-iste… Shpesh pjesëtarët e ekipit…ngriheshin, ngjitur me vetratën e shikonin këtë mrekulli, fotografonim e do kishin dashur ta përjetonin jashtë por s’ishte e mundur… Nuk parashikoja se kjo ditë përpos parajsës natyrore e liqenore të kësaj qyteze mister e me fat, na kishte rezervuar të tjera surpriza.
Shiu kishte rreth gjysëm ore që kishte pushuar. Kishim dalë nga restoranti, po shijonim natyrën e pas shiut, e mbasi kishim pirë dhe nga një kafe të shpejtë në një lokal të këndshëm paksa pa hyrë në Shirokë, u nisëm menjëherë drejt Kalasë për të mos na zënë muzgu… Sapo i afrohemi Qendrës së Shirokës, duke e bërë një xhiro të vëmendëshme në këmbë, prezantohemi me një piazë (shëtitore)modeste, tërësisht të gjelbëruar, me shtëpi e vila të shumta të reja, të restauruara, klube, bare, restorante, hoteleri e mjaft objekte shërbimi, kryesisht në krahun e djathtë e me pamje e fasada të hijshme e të dukshme për karshi liqenit…
Në krahun e majtë jane improvizuar bare të hapura për ti sherbyer qytetarëve deri në breg të liqenit ku nuk ka munguar kujdesi i mbjelljes, gjelbërimit e mirëmbajtjes ambjentit… I drejtohemi rrugës së re e të hijshme, të sapo ristrukturuar. Në krahun e majtë do të risodisim tapetin e ujit e pamjen e tij në të gjithë gjatësinë e bregut prej me shume se 3.5 km, mbushur me pemë, shelqe, livadhe e gjelbërim të pafund, ʺishujʺ shelqesh e kallamishtesh…deri tek Ura e Re e Bunës…
E gjithë kjo gjatësi rruge ka një ndarje me liqenin me një shëtitore për qytetarët, qoftë për shetitjen në këmbë ashtu dhe korsi biçikletash, e kufizuar me gjelbërimin me një ndarëse të lehtë me parmakë, e alternuar me kolona betoni dhe punime duralumini në lartësinë e brezit të njeriut, çka i jep larmi dhe hijeshi rrugës. Në distancë të pranueshme janë ndriçuesit e lartësuar të cilët i shërbejnë qytetarëve për shëtitje pas muzgut e deri natën vonë…
Në këtë ditë shiu shelqet e brishta e pishat thuajse janë shëmbur nga ngarkesat e rebeshit të shiut. Mbi gjethet e pemëve e shelqeve, pikëzat e ujit ngjajnë si kristale me ndriçim të diamantë, si margaritarë e herë- herë rrezet e diellit përcjellin imazhin e pikave te lotit. Djathtas rrugës, gjelbërimi shoqërohej në lartësinë e malit nga një brez i gjërë pemësh, pishash, shkurresh e bimësh medicinale, pjesë e malit të Taraboshit e na ndjek deri ngjitur Urës Vjetër e të Re, e mbas saj…e na xhelozojnë me puhizën pranverore të pas shiut, freskinë e larminë e aromave që na ndjekin gjatë gjithë kësaj rruge prej dritareve paksa të hapura të automjetit me të cilin po udhëtojmë…
Automjeti rrëshqet vrullshëm mbi asfaltin e lagësht duke e ndarë në forme “V”- je të madhe ujin e tepërt të shiut në të dy krahët e rrugës. Sapo futemi në Urën e madhe e të re të Bunes, lartësohet hijshëm Kalaja e Rozafës, kjo emblemë historike e Shkodrës…U futëm në rrugën e Kalasë dhe u ndalëm tek shesh pushimi i fundit… Do ngjiteshim në këmbë, drejt një maloreje me një kthesë të ëmbël me rreth 200 m, deri tek porta kryesore e Kalasë. Sapo kaluam tunelin e parë dhe u prezantuam me guvat anësore u futëm në oborrin e gjërë e të rrethuar ngado me mure, bedena e kulla të hijshme
Jo vetëm unë por sidomos të huajt që e kishin për herë të parë këtë vizitë, dalëngadalë po surprizoheshin… Sapo ju afruan mureve e bedenave, po vërenin rreth e rrotull e po kalonin në mahnitje. Shiu e kishte kthyer horizontin në të verdhë të argjentë, dielli ishte në të perënduar, retë konkuronin me diellin,duke përflakur liqenin, lumejtë, kodrat, livadhet e deri malet në sfondin jo shumë të largët… Ishim si në një amfiteatër gjigand.
Ky perëndim dielli, liqenit tashmë të qetë, i kishte dhënë shkëlqimin e një pasqyre gjigande ngjyrosur në të verdhë të ndezur në portokalli… E aty ku dielli thyhej nga retë, një e zbehtë gri deri në të zezë, i jepte nuancë kesaj mrekullie…një pakujdesi hyjnore…ku ngazëllimi e trishtimi që po ngrysej kjo ditë e magjishme, rrokulliseshin bashkë për tu perjetsuar në celuloid… Duhet të ishe me fat të xhiroje këtë nxitim ngjyrash në flakrim drejt një shuarje të lehtë por duke vijuar udhëtimin e saj pambarimisht në të tjera telajo natyrore… e imagjinata përkundet ëmbël…
Kthjelltësia ajrit sillte gjithçka shumë afër…deri shpendët ishin gjallëruar, të sapo dalë nga ʺishujtʺ e kallamishteve të liqenit, rendnin të pozonin, të zhyteshin për peshk në liqenin që shkëlqente si një pasqyrë…e retë e çartura në këtë perëndim bashke me diellin, kishin të gjithë ngjyrat që ka falur zoti…D o befasonte kjo mrekulli cilindo piktor të famshëm natyralist…dhe nuk po gjeja arsye të mos zgjoheshin të vdekurit…ndaj ne të gjallët po rendnim të memorizonim këto momente magjike të perëndimit.
Njëherit, thuajse të gjithë të huajt, duke levizur me shpejtësi e shkathtësi nga njera kullë në tjetrën, sa nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, në të gjithë lartësitë e mundshme…po admironin e fotografonin këto pamje të magjishme, të papërsëritshme. Vetëm Provania Hyjnore mund të të japë të drejtë të shijosh këto pamje, jashtë tokësore, surreale, të paimagjinueshme. Nuk duhej që ne, për asnjë çast e për asnjë arsye, ti humbnim këto pamje…vegime parajse…
Në veri qyteti i heshtur, madhështor, tashmë i lagësht (se kishte për herë të parë këtë shi),vezullonte deri në brendësi në labirinthet e maleve e hijeshonte me rrugët e banesat e saj, me gjelbërimin e harmonizuar me rrugicat e saj, e deri në thellësi të maleve futej ky qytet si për tu matur me historinë,madhështinë e kryelartësinë e tyre… Në perëndim mes Taraboshit dhe qytetit, si një binom i kahershëm gërshetoheshin liqeni me livadhet e pafund deri në thellësi të maleve të Maranajt,ëDeçiçit të largët, Cukalit në veri, në perëndim me vargmalin e Krajës e deri me majën e mahnitshme të Rumijes që vjen duke u rritur në lartësi duke e bërë më të pabesueshme magjinë e kësaj pamje…
Jugu na kishte rezervuar fushat e pambarimta të NënShkodres…ku lumejtë e Bunës djathtas, Drinit majtas, Kirit nga veriu bashkë me liqenin, bashkoheshin si një unazë e stërmadhe ujore në këmbët e kalasë e urave, pa fshehur mistikën e një ishulli apo kalaje gati “lundruese”, për të pritur udhëtimin e motmotshëm të tyre nga malet e Dukagjinit e thellësite e maleve të Pukës, Kukësit e deri Kosovës…dhe nëpërmjet liqenit që përthith e bashkon edhe përrojet e lumejtë e Malit të Zi, në një lum tashmë të gjërë të Bunës e Drinit bashkë (drinbuna) e si një Danub Shkodre, vijon drejt Adriatikut, nëpërmjet fushave të Oblikës, Dajçit, Berdicës e deri larg drejt fushave, pyjeve e ranishteve të detit të Velipojës, brigjeve të Adriatikut që në këtë sfond magjepsës me imagjinatën tonë, ishin bërë një, si një spirale gjigande e ne, si në një disk rrotullues e vëzhgonim këtë muzg të paharrueshëm… që as me përshkrimet e Turgenievit as dhe të Gorkit, nuk do i ndërroja me këto pamje përrallore.
Tuj hedh shikimin nga ura e re aty ku fillon Buna (Bojana 44 km), një rezervat natyror i botës bimore e shtazore, me rreth 143 lloje peshqish. Vërejmë konturet e këtij lumi magjik që pasi merr në shtratin e tij ujërat e Drinit e të liqenit, vërshon dredha- dredha udhëtimin e tij mes një bazeni të gjelbëruar, harlisur nga lloje të panumërta pemësh, shkurresh, shelqesh e që bashkë me brigjet e damarin e ujit, na jep imazhin e plotë të një Amazonke me xhepa të hijezuar për tu ambjentuar familjarët e çifte që lahen e pushojnë në sezon vere…e më pas ky ujë i vrullshëm, merr udhë përmes ishujsh të vegjël, drejtohet djathtas duke i krijuar xhiro rrotulluese të rrezikshme notarëve e vijon tashme drejt Dajçit të Bregut të Bunës.
Hijshëm e me spektakël gjelbrimi, pauya pushimi e vijon qehtas drejt Velipojës për tu përshkuar përsipër rezervatit pyjor prej afro 650 ha, duke u ndarë e derdhur në det në dy degëza të Bunes përmes trekëndëshit të Adës në Perendim në kufi me Ulqinin e Malit të Zi ,duke lënë në Lindje lagunën e madhe të Velipojës me një mjedis të pasur ranor prej me shume se 7 km…me 1,2 km nga Rana e Hedhur e Shëngjinit…
Juglindja me fushat e Kuçit, Vukatanës e gjithë Gurit të Zi , me malet e Rrencit, Gajtanit, Rragamit e Sheldisë antike, mbyllte deri diku këtë rreth që të mrekullonte me ngjyrat e begatinë hyjnore të natyrës… Nuk kishte si të mungonte ylberi pas asaj dite me shi, për të plotësuar ndonjë mungesë të ndonjë syri të vëmendshëm…duke u sjellur si vetull e sherbestë me ngjyrat e arta nga vjollcë, e kuqe, në portokalli, të verdhë, jeshile, blu e deri në manushaqe, si e arrirë në këtë tabllo magjike e që do ta kishte zili…Ivan Shishkin.
Nëse një jashtëtokesor në një disk fluturues do kishte fatin të shijonte këtë pamje, do ndalonte shpejtësinë, do sugjestionohej e do donte ti merrte hua ADN-në kësaj magjie për ta përcjelle në habitatin e tij… Ishte një ditë e mbarsur me surpriza…që do të mbetet gjatë në memorien time, pa dyshim dhe tek ato të huaj që me shumë dëshirë por dhe me shumë elegancë panë, shijuan, fiksuan dhe përshkruan këtë dite si nga më të veçantat e jetës së tyre…
Unë i besoj sinqeritetit, sepse e pashë në sytë e tyre…Jam i bindur se ato i janë mirënjohes Nënës Natyrë për këtë dhuratë që ajo i bëri sot…”prekën legjendën” e shijuan paksa misteret e saj… Më ka qëlluar ta shoh këtë pamje nga lart, nga udhëtimet me avion edhe në ditë të kthjellët. E gjithë kjo pamje i ngjan një zemre të madhe ku vallëzojne ngjyrat dhe damarët e jetës e ku malet që e kanë rrethuar e kanë në përkujdesje këtë Zanë Malesh dhe e mbrojnë me xhelozi…
Edhe nëse për dikë s’ i ngjan zemrës, ajo përherë është e do të jetë për ne pjesë e zemrës sone. Poetët e cilësojnë si një unazë e madhe që e përmbyll diamanti…Rozafa… Kishte vend e arsye për të thirrur…ku janë poetët…ti thurin këto pamje në fjalë e me vargje, ku janë fotografët, të fiksojnë e ruajnë ne celuloid këtë magji/ëndërr… e të mos ja tregojnë kujt…jo jo askujt…se do “na e marrin mësysh” këtë kala, këtë qytet, këto lumenj, këto fusha, male e kodra, këtë dhuratë hyjnore, këtë përrallë…
Druaj se e kanë bërë, ja kanë lexuar, bile ja kanë treguar dikujt këto dedikime, mundet shumëkujt këto “foto të ndaluara”… sepse ato atë ditë ishin të shenjtëruara e druaj mjaft se atë pasdite…ja kanë humbur “virgjërinë”…atyre pamjeve…por ndofta për fat edhe jo, për mos t’ ja humbur e harruar dashurinë time, tuajën, dashurinë tonë…ndonëse na kanë lakmuar e deri diku “trathëtuar”.
A është e mundur që po përjetojmë xhelozinë me këtë dritë shekullore, me këtë parajsë e mrekulli hyjnore, me këtë fllad, freski, aromë e fisnikëri, ëndërruar, lakmuar, merituar e trashëguar brezash… Mund t’ja vjedhësh Mbretëreshës kurorën por s’ ja vjedh dot fisnikërinë… Aktorët e kësaj xhelozie nuk i ngroh dot ky Diell…ai është dielli ynë. Kjo hapësirë është dashuria jonë, jeta jonë… Kërkon të gjesh një mënyrë që ta përqafosh fort…gjithë këtë hapësirë. Je i lidhur shumë me tokën tënde… Atdheu është njëherit dhimbje… Ndjen se loton nga kënaqësia…Emocionet nuk kanë zë, kanë lot, buzëqeshje, shndritje fytyre… Zemra shtanget… A mundet që pamjet e sotme janë të përditshme, të përjetshme, janë këtu e shumë prej nesh nuk i shohim..? Ky thesar “yni”…a nuk po dijmë ta shijojmë këtë poezi e melodi të natyrës. Nuk rreshtim e flasim bukur, natyra ka lindur për ta gëzuar atë, jetën e shijen tonë, për të na rilindur… /Nga Ahmet OMI, ish- zëvendëskryetar i Bashkisë Shkodër, publikuar në Facebook, shkruar në Dhjetor 2017, Shkodër/