Sot, Turqia është një faktor mjaft i rëndësishëm në rajon dhe më gjerë! Sot, Turqia bën real politikë, duke mos pasur asnjë popull “hazret”, por diku ka popuj miq, diku popuj dashamirës, diku tjetër të nënshtruar e rrallë herë popuj partner!
Ka një realitet të hidhur, sepse Turqia sot, me frymëzim nga e kaluara, ne shqiptarëve nuk na konsideron partner, as hazret, as miq, por na konsideron dhe vazhdon të na konsiderojl popull të nënshtruar e mandej, sot për arsye të kaluarës historike, na e konsideron nënshtrimin si obligim e pa kushte!
Shoh me kritikë të madhe edhe ata që qëndrimin ndaj Turqisë vazhdojnë ta lidhin me figurën e Skënderbeut e këtë të fundit për fat tek keq me besimin fetar të tij! E vërteta është se Skënderbeu s’ka bërë luftë fetare, por feja në atë kohë ishte një realitet që nuk mund të shmangej nga lufta e Skënderbeut! Skënderbeu, ka qenë e mbetet një ndër figurat me dimension të madh botëror, por në të njëjtën kohë figura më e rëndësishme e Kombit, për të cilin nuk ka polemika, por ka simbolikë bashkimi! Ndoshta, në realitetin e sotëm dhe në ekuilibrat e sotëm edhe Skënderbeu do e kishte pritur Erdoganin, por sigurisht jo në pozicion nënshtrimi e aq më pak në pozicion poshtërimi!
Forca e një lideri në çdo kohë e në çdo rrethanë qëndron nëse ai e lartëson mbi veten Kombin dhe jo nëse Kombin e sjellë në lartësinë personale ose edhe më keq e ul edhe me poshtë se lartësia e tij po indivuale!
Po ashtu, në marrëdhënie ndërkombëtare besimi fetar është kthyer një ndër shtyllat kryesore, por Turqia në dallim të vendeve të tjera, besimin fetar e ka kushtin e parë për të pasur marrëdhënie të mira ose marrëdhënie nënshtruese! Mandej, edhe fenë e bën imponuese, sepse e konsideron si mision kombëtar e historik pas Kalifit! Çdo të thotë kjo? Xhamitë e kishat janë shtëpi të Zotit, por në ardhje zyrtare dhe me inaugurimin personal të xhamisë në Tiranë ka dhënë një mesazh që nuk i bën mirë Kombit shqiptar! Për ne shqiptarët kjo ceremoni mund të ishte evituar e ndërsa Erdogan kurrsesi nuk mund ta evitonte, sepse ai është modeli historik i Turqisë e politikës aktuale!
Turqia ka një rëndësi të madhe edhe për vendin tonë, por jo të pazëvendësueshme për të ardhmen e Shqipërisë! Po ashtu sot mund të evitoj edhe citimi i BE- së, sepse lidershipi aktual turk është shumë larg vlerave të BE e për pasojë jo vetëm që nuk na ndihmon, por ndoshta kontribuon që anëtarësimi i Shqipërisë të zgjatet edhe pak më shumë se sa është!