Në respekt e mirënjohje të trupës së teatrit të kukullave të Shkodrës! Të asaj trupe simpatike, në përbamje të së cilës ishin interpretues të zotë e të talentuar.
Të asaj trupe që i dhanë skenës për dhjetra vite harenë fëminore. Të asaj trupe që përcollën subjekte e personazhe të mrekullueshme. Të asaj trupe që u drejtuen me aq përkushtim drejt imazhesh të paharrueshme e që i përkiste jo vetëm të vegjëlve e botës tyre.
Ajo trupë dimensionoi në kulturën artistike të qytetit edhe profilin e admirueshëm të teatrit të kukullave. Kujtojmë atë sallë të paharruar që mblidhte harenë e fëmijve.
Kujtojmë edhe pse i kemi përditë mes nesh, e u detyruan të ndërprisnin aktivitet artistike, i kujtojmë, për fabulat e bukura që përcollën e personazhet mbresëlënës.
Kujtojmë prag emocionet e fëmijve e të prindërve të tyre. Kujtojmë datat e caktuara e padurimin për të zënë vend në pritje të befasisë. Të befasisë që sillnin interpretuesit e teatrit të kukullave në modelimin e kukullave dhe të lojës me to.
Kanë emra, por mbi të gjitha kanë një pasuri shpirtërore që ua dhuruan fëmijve e jo vetëm. Kanë një trashëgimi në kulturën artistike. Jua kemi borxh respektin e mirënjohjen! Asaj trupe, jo të teatrit “Migjeni” por këtë rradhë…Trupës së teatrit të kukullave të Shkodrës! /Nga Arben HAVERI, regjisor/