Që Atë Gjergj Fishta ishte helmuar nga Musolini këtë ka rreth një dekadë që e dija nga bisedat me qytetarë të moshuar shkodranë të cilëve u kishin folur për këtë fakt ende të panjohur priftat franceskanë që kanë jetuar deri në vitet 2000.
Por, jo vetëm ata. Po kështu dhe nga të njëjtët burime dija edhe faktin tjetër akoma më të rëndë se trupin e Fishtës e kishin zhvarrosur italianët vetëm pak kohë pas vdekjes dhe e kishin zhdukur. Një ngjarje e tillë mund të anashkalohej apo edhe të fshihej nëse do t’i kishte ndodhur një njeriu të zakonshëm, por jo në rastin e një personaliteti si Atë Gjergj Fishta me kontribute të shquara patriotike, si shkrimtar dhe si prelat i lartë fetar në Shkodër. Për fat të keq në vazhdën e një tradite jo të mirë në kryeqendrën e Veriut, Shkodër, sipas së cilës “ca po më duhet mua që të flas për këto gjana, le të merren të tjerët se janë gjana me zarar” etj. si këto, ky fakt i cmueshëm historik nuk shkoi përtej bisedave nën zë në Kafen e Madhe, në kafeteritë e Piacës, Gjuhadolit e Parrucës si dhe në bisedat konfidenciale në përgjithësi të qytetarëve shkodranë që e përcillnin këtë kuriozitet te njëri-tjetri.
Ndërkohë, këtë informacion e verifikova në vitin 2017 gjatë një bisede të lirë me prof. Ahmet Osja ku nuk isha përgatitur për ta intervistuar. Për këtë i duhej gjetur rasti i përshtatshëm edhe për një fakt.
Profesori dhe akademiku i njohur i Institutit te Misrit dhe Orizit ne Shkodër, Prof. Dr.Ahmet Osja ka ndërruar jetë para afro 4 vjetësh, në shkurt të vitit 2020. I nderuar edhe me titullin prof. Honoris Causa në disa universiteteve perëndimore në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerkiës ai ka qenë një ndër specialistët më të mirë të bujqësisë në Shqipëri por në të njëjtën kohë një mendje e ndritur me një bagazh shumë të gjerë kulturor që tejkalonte njohuritë në fushën e tij. Periudhën më të gjatë të karrieres së tij ai ka punuar si specialist dhe drejtues në Institutin e Misrit dhe Orizit në Shkodër deri në fillim të viteve 2000 kohë në të cilën edhe doli në pension. Në vitet ’80 ka qenë deputet i Kuvendit Popullor në një legjislaturë ndërsa në vitin 1991 Ahmet Osja ka qenë ministër i Bujqësisë në qeverinë e parë postkomuniste Nano 1. Qytetarët shkodranë e mbajnë mend mirë ndershmërinë dhe idealizmin që ai demonstroi në ato pak muaj kur ishte në detyrën e ministrit. Mjafton të përmend një detaj: Gjatë asaj periudhe, vajtje-ardhjet për fundjavë në Shkodër nga Tirana dhe në kthim prof. Ahmet Osja nuk i bënte me makinën e ministrit që i takonte me ligj, por me tren.
LEXONI EDHE: “Në Shirq?! Gjergj Fishta është varrosur në Kishën Fraceskane në Shkodër”, botuesi i njohur replikë me gazetarin
Nga viti 2000 dhe deri sa ndërroi jetë kisha miqësi personale me të sepse çdo herë që takoheshim, bisedoja dhe mësoja prej tij gjëra që nuk i dinte askush. Ahmet Osja shumë rrallë pranonte që të ulej për kafe apo çaj me të gjithë, sepse i pelqente që të fliste në këmbë dhe në lëvizje aq më tepër që ndalohej në rrugë nga 20 deri në 30 persona në ditë të cilët, kush më shumë e kush më pak donin që të përfitonin sado pak nga bagazhi i tij duke e respektuar dhe biseduar me të. Osja ishte erudit dhe me kulturë të gjerë njëlloj si një enciklopedi e gjallë dhe kishte një memorie kompjuterike sidomos përsa i takon datave të ngjarjeve të ndryshme historike. Me të takohesha më shpesh në parkun e madh të gjelbëruar pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës që është shumë pranë pallatit ku banonte dhe ka mbetur i paprekur që prej shumë dekadash. Nuk mbaj mend që ai të mos më ketë dhënë shpjegime qoftë edhe për një nga pyetjet që i bëja, nisur edhe nga natyra ime kurioze. Deri pak ditë para se të ndërronte jetë prof. Osja vijonte regjimin e tij të përditshëm duke studiuar çdo ditë deri rreth orës 2 pas mesit të natës në bibliotekën e tij, e cila radhitet si një ndër bibliotekat familjare më të pasurat e profesorëve dhe akademikëve që ka nxjerrë Shkodra.
Kur prof. Osja po i mbushi të ’80 i sugjerova që disa prej fakteve historike ende të panjohura që ai donte t’i botoja në shtypin e shkruar duke iu referuar atij, por ai nuk ishte dakord. Ia kërkova këtë edhe për faktin se gjatë gjithë kohës së gjatë të njohjes dhe miqësisë sonë ai kishte pranuar që të më jepte vetëm një intervistë për turizmin në Shkodër që u pat botuar në një gazetë të përditshme (“Sivjet do të duhej që të festonim 70-vjetorin e turizmit” gazeta “Tema”, 2006). Por, kjo ishte shumë pak në raport me dëshmitë dhe faktet e panjohura nga askush në këtë vend që dilnin nga goja e tij gjatë këtyre bisedave me të që shkonin edhe me orë të tëra.
Sidoqoftë, kur në vjeshtën e vitit 2018, duke qenë edhe më i paduruar në kërkesën time të përhershme i thashë shkurt dhe prerë se “unë nuk mund të jem vetëm dëgjues i këtyre dëshmive por do t’ju regjistroj për pjesën e përgjigjeve të pyetjeve të mia”. Kësaj here, mbase edhe i lodhur nga këmbëngulja ime prof. Osja nuk kundërshtoi. Mesazhi i tij i koduar ishte i qartë. Unë nuk kisha pse të insistoja më në kërkesën time sepse tashmë e kisha lejen nga ai që t’ia publikoja prononcimet. Por vetëm pas vdekjes së tij. Për arsye që i di vetëm ai dhe që i mori me vete. Ose thjesht sepse ashtu donte…
Teksa sot dëgjoj dhe ridëgjoj zërin e tij në diktofon më ka mbetur në kujtesë edhe një thënie që Ahmet Osja ma përsëriste shpesh, edhe në prani të ndonjë kolegu, të cilën atij ia kishte thënë një koleg dhe shkencëtar i huaj në një ndër udhëtimet e tij të shumta të profesionit jashtë shteti qysh para viteve ’90: “Çdo personalitet i çdo fushe, akademik apo profesor qoftë, do të ketë një mangësi në veprimtarinë dhe angazhimet e tij nëse nuk ka miqësi me një gazetar”.
ATE GJERGJ FISHTA U HELMUA NGA BENITO MUSOLINI
Po zbardh citimin e drejtpërdrejtë të prof. Ahmet Osja që e kam të ruajtur në diktofon në lidhje me këtë fakt historik ende të panjohur për publikun shqiptar diku rreth vjeshtës së vitit 2018, prof. Ahmet Osja u prononcuar në mënyrë të plotë për këtë fakt të panjohur historik që unë e dija vetëm me të dëgjuar në Shkodër që prej vitit 2013 nga persona të tjerë dhe që më kishte intriguar kaq shumë. Nuk kisha se ku të gjeja një burim më të sigurtë informacioni sesa te kjo enciklopedi e gjallë në Shkodër.
Osja: “Fishta ka lindur më datë 23 tetor të vitit 1871 dhe ka vdekur më 30 dhjetor 1940 pak pas mesit të natës në 00:46. E marrin dhe e varrosin në varrezat e kishës së Shirqit përtej fshatit Bërdicë. Vetëm pak muaj më pas në vitin 1941 kanë ardhur dy oficerë italianë me makinë në këto varreza, ia kanë nxjerrë trupin ende të paprishur nga varri dhe ia kanë djegur në Romë. Varrezat e Shirqit ku u varros Fishta janë përmbytur nga Drini dhe unë nuk arrij që të kuptoj sot se ku e kanë gjetur atë varr të paqenë të Fishtës ndonjë shoqatë, e cila bën homazhe gjoja para varrit të tij”
Gjithnjë sipas prof. Osja: “Kjo ndodhi për arsye se Atë Gjergj Fishta përgjatë vajtjeardhjeve të tij në Vatikan kishte pasur rast që ta shihte nga afër në Romë Benito Musolinin. Ndërkohë, gjatë bisedave të lira Fishta është shprehur me shpoti dhe tallje për paraqitjen fizike të Benito Musolinit duke thënë për të ndërmjet të tjerash se “Ai (Musolini-shënim) e ka kryet rrumbullak si kungull vrake” (fshat pranë qytetit të Shkodrës-shënimi im A.L.).
Në kushtet e Shkodrës, të një qyteti të njohur edhe ndërkombëtarisht si një qendër e spiunazhit ku kryqëzoheshin e madje vijojnë që të kryqëzohen edhe sot shumë interesa të Lindjes dhe të Perëndimit, fjala mori dhenë menjëherë nga hafijet me pagesë dhe ata vullnetarë dhe i shkoi në vesh pikërisht vetë të sharit, liderit fashist italian Benito Musolinit.
Gjatë kësaj bisede, e cila ka disa ndërhyrje të miat për tu përqëndruar vetëm në këtë fakt, për eliminimin fizik të Fishtës, Musolini përdori një metodë dinake e cila vijon që të jetë e suksesshme edhe sot e kësaj dite sidomos nga politika dhe diplomacia nëpërmjet shërbimeve sekrete.
Musolini e ftoi Fishtë në Romë në verën e vitit 1940 për ta dekoruar dhe gjatë audiencës e qerasi sipas zakonit shqiptar me kafe dhe raki. Dhe kjo rezultoi fatale për këtë të fundit.
Duke filluar nga shtatori i vitit 1940 Atë Gjergj Fishta u sëmur dhe shëndeti i tij mori teposhtë nga dita në ditë. Mjekët konstatuan përmbajtje arseniku në gjakun e tij…
Për fat të keq, Fishta nuk e parashikoi këtë veprim djallëzor të liderit fashis dhe t’i shmangej shkuarjes në Romë, duke nxjerrë ndonjë justifikim, psh arsye shëndetësore që përdoret rëndom si justifikim kudo. Vetëm pas helmimit dhe kur i filluan problemet e para shëndetësore Fishta ishte koshient se nuk do të jetonte gjatë pasi helmimi me veprim të ngadaltë filloi të jepte efektet e parashikuara. Diku rreth nëntor të vitit 1940, gjithnjë sipas Prof. Osja, Fishta u pat shprehur me rrethin e tij të miqve: “E di se nuk e kam të gjatë, unë nuk do të jetoj ma. E di edhe nga më erdhi kjo”, derisa edhe u shua në minutat e para pas mesit të natës së datës 30 dhjetorit 1940.
Ndërkohë, në Varrimin e Atë Gjergj Fishtës mori pjesë e gjithë qytetaria shkodrane së bashku me drejtuesit fetarë dhe vendorë te kohës në varrezat e Shirqit. Fjalën e lamtumirës e pat mbajtur Myftia i Shkodrës, çka dëshmon edhe njjë herë se Fishta ishte një figurë poliedrike përtej religjionit, e cila kishte tejçuar gjithmonë respekt te qytetarët e Shkodrës.
PERSE HESHT KISHA KATOLIKE SHQIPTARE?
Duke iu rikthyer kësaj ngjarjeje të panjohur vetvetiu lindin disa pyetje.
-Përse hesht kisha katolike shqiptare për këtë vrasje të pabesë?
Që nga hapja e vendit në vitin 1991 e deri më sot askush nuk ka folur apo shkruar për këtë krim përveç bisedave në kafene edhe ato me gjysmë zëri në Shkodër të atyre pak të moshuarve që kishin dijeni për këtë histori. Kjo për faktin e thjeshtë se me ardhjen e demokracisë e deri ne fillim të viteve 2000 kanë qenë gjallë dhe të fortë sa të duash priftërinj franceskanë që prej viti 1940 kur edhe ndodhi ky krim ishin të rinj. Po kështu, ka pasur dëshmitarë edhe në varrezat e kishës së Shirqit ditën kur 2 oficerët italianë të policisë sekrete të Duçes hapën varrin dhe i nxorën trupin ende të patretur të prelatit të lartë fetar, shkrimtarit dhe patriotit të shquar Atë Gjergj Fishta. Pra, një ngjarje e tillë në raport me një personalitet të njohur si Fishta nuk mund të bëhej në fshehtësi dhe pa e marrë vesh njeri.
Por, duke e parë në kënvështrimin se Vatikani përvëcse një qendër e centralizuar e Kishës Katolike është edhe shtet që bën politikën e saj, për mendimin tim ka një shpjegim. Fishta me patriotizmin e tij shkonte përtej qëndrimeve pro italiane psh kur i ndaluan pëqr disa kohë botimin e revistës “Hylli i dritës”. Por, ky i fundit kur ishte puna për çështjen shqiptare ishte në radhë të parë patriot edhe në raport me qëndrimiun e shteit të Vatikanit. Eshtë i ditur fakti se kur u nis në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, Fishta kishte lënë një takim me Papën në Vatikan gjë që nuk u realizua për shkak të anullimit të në momentin e fundit nga Papa. Gjë e cila të con në arsyetimin se Vatikani nuk ishte në një linjë me Fishtën për cështjen shqiptare. Aq e vërtetë është kjo saqë edhe sot e kësaj dite Vatikani nuk e njeh shtetin e Kosovës. Me fjalë të tjera kemi një kontinuitet që prej mëse një shekulli të këtij qëndrimi të shtetit të Vatikanit në raport me çështjen shqiptare. Gjërat duhen thënë ashtu siç kanë qenë dhe akoma më shumë ashtu siç janë. Mjaft më me inferiororitet ndaj të huajve në përgjithësi qofshin këta edhe miqtë tanë historikë.
-Përse heshtin historianët shqiptarë për këtë vrasje të bujshme? Apo janë ende të zënë dhe të ndarë në dy kampe dhe po “hulumtojnë” ende që prej vitit 1992 për datën se kur iku gjermani i fundit nga Shkodra, më datë 28 apo 29 nëntor 1944?!
-Përse hesht diplomacia amatore dhe ende foshnjore shqiptare, për të mos thënë më tepër?
A e dinë historianët dhe diplomatët shqiptarë se Armenia krenohet nëpërmjet diplomacisë së saj profesionale dhe asaj kulturore me vetëm me dy gjëra:
Me genoicidin që Turqia ka bërë në këtë vend në vitin 1913 dhe me këngëtarin e famshëm francez me origjinë armene Charles Aznavur? Pra vetëm me pak gjëra, por nëpërmjet të cilave armenët ia kanë dalë që të dëgjohen dhe të vlerësohen në kanceleritë e Perëndimit dhe bravo i qoftë për këtë.
Po sa dhjetëra gjenocide kemi pësuar ne si komb gjatë shekujve dhe sa qindra artistë, sportistë dhe dijetarë me famë botërore ka nxjerrë Shqipëria, historia dhe diplomacia e së cilës ose i kanë vënë në pah pjesërisht në bazë të interesave politike të momentit ose i kanë lënë në hije dhe të panjohur si për publikun shqiptar ashtu edhe për atë të huaj?!
Arsyja e heshtjes për mendimin tim është shumë e thjeshtë. Sepse jemi mësuar historikisht si popull, por akoma më shumë në Shkodër me mentalitetin që të mërmërisim nëpër dhëmbë të vërtetat dhe të jemi inferiorë dhe frikacakë karshi të huajve por edhe në raport me skandalet që ndodhin në përgjithësi në këtë vend. Por në kushtet kur Benito Musolini u var për këmbësh me gjithë të dashurën nga vetë italianët ashtu, si edhe fashizmi dhe nazizmi u dënuan dhe u penalizuan në Gjyqin e Hagës dhe në tërë botën, kjo heshtje është e pafalshme. Nuk bëhet historia dukë folur me vedi dhe dukë bëlbëzuar me nëpër kafene dhe mejhane “kështu dëgjova por mos i thuaj kujt”. Sepse fjalët i merr era, ndërkohë që fjala e shkruar mbetet fakt.
ATE GJERGJ FISHTES DUHET T’I AKORDOHET TITULLI I LARTE “HERO I POPULLIT”
Pasi mëson për këtë krim të mirëfilltë lufte të kryer me gjakftohtësi nga një prej tre krerëve të aleancës fashiste Romë – Berlin – Tokio, Benito Musolinit kundër një prej personaliteteve më të shquara të letrave shqipe dhe po ashtu një prej patriotëve më të shquar të historisë shqiptare si Atë Gjergj Fishta mendoj pa më të voglin hezitim se historia e Shqipërisë duhet që të ridimensiohet në raport me vetë personalitetin e tij. Atë Gjergj Fishtës duhet që t’i akordohet menjëherë nga Presidenti i Republikës titulli “Hero i Popullit” pasi përveç meritave të tij të padiskutueshme si shkrimtar dhe patriot i shquar ai është edhe një hero antifashist i vrarë me pabesi në vitin 1940 ose në fillim të Luftës së Dytë Botërore kur fitorja kundër fashizmit dhe nazizmit, të paktën në Europë, as që mund të mendohej dhe vetëm ëndërrohej. Fitorja mbi fashizmit nga shtete si Anglia e bombarduar dhe Franca që i ra në gjunjë zyrtarisht Gjermanisë dhe pa hyrë fare në luftë nëpërmjet qeverisë tradhtare dhe kolaboracioniste të asaj kohe aq që mund të mendohej derisa hynë në lojë Rusia dhe SHBA. Me fjalë më të thjeshta kjo vrasje e pabesë dhe makabër është një dekoratë më shumë për Atë Gjergj Fishtën.
Por, jo vetëm kaq. Unë gjykoj se emri i Atë Gjergj Fishtëës i duhet vënë Aeroportit të Rinasit për faktin e thjeshtë se Nënë Tereza, thuajse të gjithë veprimtarinë e saj bamirëse nuk e ka zhvilluar në Shqipëri, por në Indi ku edhe vdiq në vitin 1997. Ndërsa me një krahasim të drejtpërdrejtë, Fishta qëndron shumë më lart se Gonxhe Bojaxhi.
Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë nga ata institucione të shtetit shqiptar që e kanë për detyrë dhe kompetencë por unë i mbetem sugjerimeve të mia sepse një figurë e shquar si Atë Gjergj Fishta është akoma më shumë e nderuar pasi vdekja e tij nuk erdhi nga shkaqe natyrore, por me urdhër dhe hjekësi të liderit fashist Benito Musolini. Pra, është një dekoratë e shtuar për të.
E di fare mirë se pasi të publikohet ky fakt i panjohur historik, shumë nga ata sehirxhinjtë e kafeneve të lagjeve por edhe anal-istët gjithologë që na japin mend për gjithshka dhe për cdo gjë për cdo mbrëmje nëpër televizione do të nisin që të “komentojnë”… Ata do të jenë të lirë që të vijojnë misionin e tyre të gjithologut dhe të kontribojnë me orë të tëra nëse kanë për të shtuar ndonjë informacion plotësues. Por, pas meje… /Nga Arben LAGRETA/