Tipik shkodran. I gjatë e i thatë në trup, i ngadaltë në lëvizje si tuj mendue në pesë pista njiherit. E folmja e ngeshme, me pauza kaiherë të gjata, por me fraza të sakta, të përkora e pa vend për korigjim. Modest, por i bindun në ato qi thotë.
Nexhmi Bushati asht qytetari qi i pati vû vetes detyrë me i shkundë pluhunin e harreses vlerave shkodrane e kombëtare, ashtu pa bujë, pa kërkue lavde e merita. Me durimin e nji milingone dhe kompetencën e nji eruditi inteligjent, nuk ndalej. Mbaronte nji projekt, fillonte nji tjetër; punonte njikohësisht në disa. Mutacion gjenetik? Ndoshta. I ati, studiuesi i rrallë, Hamdi Bushati, i pati sjellë kulturës shqip visare të ralla dhe voluminoze në shumë fusha: histori, ekonomia ne vend, etnografi, toponamistikë, folklor etj.
Zotni Nexhin e kam njoftë gjithë jetën. Prindët e mi dhe çifti Bushati, Nexhmiu me Valdetin, ishin miq e kolegë prej dekadash dhe familjet tona ishin të vemet qi vazhdonin të banonin në shkollën e Trushit ku zilet ndermjet orëve dhe gugatjet e pellumbave te sjelluna dikur nga nji ish-drejtor ishin bâ zhurma të zakonshme shpie.
Kur isha 10 vjec atje ne Trush, filloi t’m’mësonte frângisht. Mâ vonë, do të isha i pranuem në bibliotekën e tij. Disa mësime korrektese shkonin paralel me qasjen në fondin e huej të bibliotekës. Skrupuloz siç ishte, do të mësoja se pa sjellë librat e huazuem mâ parë, nuk mund të merrje libra të tjerë. Por biblioteka e Axhi Nexhit do të ishte gjithmonë e hapun për mue. E ai do të ishte ndër mentorët e mi, ashtu me stilin e tij gjoja t’shkujdesun, jodeklamativ.
Në fillim të viteve ’90, emnat tonë do të shfaqeshin shpesh në të njajtin numër të gazetës “Shkodra” ku mâ në fund kishim gjetë lirinë qi as mund ta guxonim mâ parë. Shpesh do të shiheshim e bisedonim, e kjo për hir te lidhjeve familjare, e po ashtu interesave te përbashkëta. Kishte kujtesë të admirueshme dhe njohuni enciklopedike.
Studiuesi
Shpirti i trashëguem si qëmtues dhe studiues skrupuloz do të shfaqej në kumtesa të mbajtuna në sesionet e Seminarit “Shkodra në Shekuj” me tema kushtue jetës e veprimtarisë së personaliteteve te anatemueme nga regjimi komunist. Mbas mbylljes së këtij aktiviteti, bashkëpunimi në fushën e publicistikës përfshiu, veç shtypit lokal, edhe organet kryesore në kryeqytet, gjithmonë në funksion të nxjerrjes në dritë të kontributeve e vlerave intelektuale e atdhetare. Si publicist, ka dhânë kontribut me shkrime në faqet e shtypit lokal dhe atij kombëtar si, gazeta “Shkodra”, “Drita Islame”, “Perla”, “Buletini Shkencor i Universitetit”, “Kumbona e së Dielës”, “Universi”, “Njeriu”, “Etika”, “Lemba”, “Shqipnia Etnike”, “Drita e Dijes” etj.
Nuk mungojnë kumtesa e ligjerata të shpërndame në botime tematike kushtue promovimeve të ndryshme për libra e përvjetore (“Daut Borici”, “Zani i Nalte”, “Integrimi Evropian dhe Intelektualet” etj.)
Ka botue “Në kujtim të brezave”, libër qi pasqyron veprimtarinë fetare, patriotike, botuese etj. të 40 personaliteteve muslimane, klerikë e laikë të Shkodrës, në bashkautorësi me studiuesit Islam Dizdari dhe Faik Luli.
Bân përshtypje, jo vetëm saktësia, transparenca e studiuesit dhe plotësia e realitetit të hulumtuem, por edhe gjuha e zhdërvjelltë e plot shije si në gegnisht, ashtu edhe Standard. Qè si shprehet në nji studim me format të shkurtë për poetin, intelektualin, patriotin dhe disidentin gjatë komunizmit, Hamid Gjylbegaj: “Shpia ku lindi, ndodhet nën hijen e nji çinari qindavjecar, qi edhe në ditët tona, qindron hijerândë, tuj ngacmue fantazinë e nji mikut tim, qi fatin e atij rrapi krenar ta përqaste me kalvarin e stoicizmin e Hamid Gjylbegajt”.
Në nji studim tijin për jetën e veprën e patriotit Tahir Zajmi, Nexhmiu do ta përshkruente kështu publicistikën e këtij të fundit: “Ai asht (publicist) patriot i ndjeshëm dhe nëse u dha rrugë ndjenjave të âmbla për rastet e bukura, nuk di të simulojë kur faktet e hidhuna flasin vetë dhe kështu shfaq edhe keqardhje e zhgënjim. Asht fjala për ata njerëz të shquem e talente të afirmuem, që ndonëse me origjinë të mirëfilltë shqiptare, i shkrijnë energjitë e tyne intelektuale e krijuese për kombe të hueja, ndoshta pa i dalë zot as origjinës…. Këto shkrime mbyllen me mllef të sinqertë, ku nuk kursehet as ironia, as sarkazma.”
Pesë vjet pune do t’i merrte Nexhmiut botimi i librit “Qemal Draçini (njeriu, intelektuali, martiri)”, kushtue mësuesit të tij të letërsisë, të cilin e adhuronte pa masë. Nuk ishte vetëm përkushtimi ndaj nji figure të tillë martire qi ra viktimë e kthetrave të pabesa komuniste, por edhe amaneti i t’vllaut të Qemalit, Enverit, qi e shtynte ish-nxânësin e t’vllaut të punonte pa prâ deri në botimin e librit për meteorin e letrave shqipe.
Pa punën vigane të Nexhmiut, as veprat madhore të të atit, Hamdi Bushati, nuk do ta kishin pa dritën e botimit. Do ta sistemonte dhe redaktonte materialin prej qinda e qinda faqesh me disipline të lakmueshme shkencore e gjuhësore e do ta plotësonte veprën tre-vëllimshe “Shkodra dhe Motet” deri në atë pikë sa fitoi nji vlerësim të paparashikuem si nga publiku i gjanë, ashtu edhe bota shkencore. Qè si e përshkruen vetë Nexhmiu përgjegjësinë për veprën: “Dalja në dritë e këtij botimi, krahas kenaqësisë së ligjshme që më jep, më lehtëson edhe nga një lloj përgjegjësie morale. Autori i kësaj vepre, i ndjeri im atë, vdiq me “shpirtin e lënduar”, sepse nuk e shijoi vetë gëzimin që përjeton çdo krijues, kur vepra e tij bëhet e të gjithëve…. Megjithëse para meje ishte një material prej 1500 faqesh të daktilografuara, nuk mund të hezitoja. Francezët kanë një thënie proverbiale “Kur do, mundesh” (Vouloir c’est pouvoir) që patjetër më kujtonte se si e pat kapërcyer vetë autori (dmth im atë) kontradiktën qi ishte mes volumit të madh të punes së tij studimore si dhe kushteve minimale të punës dhe kufizimeve të panumërta morale e materiale që ia vështirësonin së tepërmi përkushtimin e tij”.
Në vlerësimin e tij, Prof. Aleks Buda do ta quente veprën “unikale, sepse Shkodra është i vetmi dhe i pari qytet në Shqipëri që ka një vepër të tillë”. Botimi u përsërit tri herë brenda nji kohe të shkurtë. Nji skrupuloziteti të tillë prej botuesi rigoroz do t’i nënshtrohej edhe monografia “Bushatllinjtë”.
Viti 2001 shënon fillimin e nji përkushtimi të ri: krijohet shoqata e dashamirësve të historisë me emnin “Kara Mahmut Pasha”, kryetar i së cilës do të ishte Nexhmiu. Nji pjesë të mirë të kohës, ai do t’ia kushtonte promovimit të përsonalitetit të Kara Mahmut Pashës përmes veprimtarish të ndryshme, si eskursione historike e kulturore në Shqipni e trevat shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, përfshi edhe vizitën tek vorri Kara Mahmut Pashës në Mal të Zi. Nexhmiu do të angazhohej gjithashtu energjikisht në fushatën për ngritjen e Monumentit të Kara Mahmut Pashës me takime, artikuj, promemorje, me ngritjen e komisionit, përgatitjen e konkursit përkatës me skulptorë e piktorë, intervista në televizion deri te realizimi i disa dokumentarëve në TVSh, TV Klan, Top Channel e Vizion Plus.
Përfundim
Jeta e Nexhmi Bushatit ishte jeta e nji burri të perkorë e qytetar të përkushtuem, e nji luftëtari qi merr frymë thellë mbas betejës së gjatë e të lodhshme, i mbshtetun diku, aty në trungun e nji lisi rrâjëtrashë. Ai shprehet i kënaqun me ç’ka ka mbrritë me bâ. “Ju keni me m’vlerësue. Unë bâna atë qi muejta,” thotë. Jeta e tij ishte jeta e nji bashkëshorti shembullor e prindi të ndjeshëm. Nexhmi Bushati asht nji ndër gurët e lashtë rreth kalasë qi zunë vend për mos me luejtë për shekuj. Atdheut sinor n’kufi, thotë Camaj. Asht mostër e nji brezi atdhedashës e vetflijues qi po i ikin Shqipnisë nji e nga nji, çdo ditë, atherë kur kemi nevojë mâ shumë se kurrë për urtinë e tyne. Por të paktën, po lanë nji vazhdë mbrapa qi mund t’na ndihmojë nji ditë me e gjetë rrugën e humbun.
Pak biografi
Lindi në Shkoder me 5 maj1930. Mësimet e para i mori në shkollën fillore të Tophanës, pastaj në atë të Parrucës.
Tetë vitet e shkollës së mesme i kreu në Gjimnazin Shtetnor. Ndër mësuesat qi ndikuen në formimin e studentave të brezit të tij ishin Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Petraq Fundo etj. E konsideronte ndér dhe fat të madh të ishe student i këtyne figurave të kulturës e arsimit. Mbresë në mendjen e Nexhmiu adoleshent do të linin gjithashtu personalitete që u shquen si profesionistë të shkelqyeshëm, por qi mâ vonë do të binin viktima të bishës injorante qi po vinte në pushtet mbas 1944-shit. Kol Margjini, Kol Prela, Mirash Ivanaj, Safet Butka, Mustafë Dervishi, Prenkë Kaçinari, Gjergj Kokoshi, Qemal Draçini nuk u pajtuen me diktaturën dhe regjimi nuk tregoi asnji mshirë kur e zhduku këtë grup elitaresh në mënyrat mâ barbare.
Në edukimin letrar te Nexhmiut ndikoi shumë biblioteka e të atit – nji bibliofil i rrallë. Qysh në moshë të re i ranë në dorë “Lahuta e Malcisë” e Fishtës,” Juvenilia” e Mjedës dhe “Bagëti e Bujqësi” e Frashërit. E konsideronte veten me fat qi në bibliotekën e familjes kishte veprat e poeteve të mdhâj të Italisë, gjâ qi i ngjalli kureshtjen dhe dëshirën me i lexue në gjuhën origjinale. Mbasi përvetësoi italishten, oreksi me ditë e shtyu drejt frângishtes e, mâ vonë, drejt gjermanishtes.
Kuriozitet: Mbasi doli në pension, në moshën 83-vjecare, mbrojti në Austri Certifikatën e Gjuhës Gjermane për të Huej në Nivelin A1. Mbas maturës, Nexhmiu 18-vjeçar do të fillonte si arsimtar në landët e gjuhës e letërsisë shqipe në katundet e zonës së Shkodrës, Bushat, Barbullush, e Vrakë.
Me 1958 mbaron studimet pa shkëputje nga puna në degën e Gjuhës e Letërsise, Fakulteti i Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Karrierën si arsimtar do ta vazhdonte në shkollat e qytetit të Shkodrës për shtatë vjet. Për punën me përkushtim e kompetencë, lavdohet vazhdimisht në instancat profesionale, por, për arsye politike, do t’transferohet mâ vonë si mësues në fshatin Trush. Në Trush do të sillte të shoqen, Valdetin, e mbrapa do të lindnin edhe Ledina e Bora. Trushianët do ta konsideronin si të tynin për 25 vjet rresht, deri në daljen në pension në vitin 1985 e padyshim gjithmonë edhe mbas asaj date.
Përkushtimi i Zotni Nexhit si arsimtar dhe edukues i brezave të nxânësave u vlerësue zyrtarisht me dhanien e titullit “Mësues i Merituem” mbas rânies së komunizmit.
Por, as me daljen në pension, nuk e braktisi mësimdhânien.
Pasioni për gjuhët e hueja e nxiti në ushtrimin e aktivitetit si mësues i gjuhës italiane në kurse private. Kurset ndiqeshin nga të vegjël e të rritun, nxânës të të gjitha moshave, niveleve shkollore, përfshi edhe studentë universiteti e profesionistë të fushave të ndryshme. Kët aktivitet e vazhdoi me të njâjtin pasion deri në moshën 80-vjeçare.