Kanë vërshuar opinione që shajnë dhe kritikojnë median pas arrestimi të personit “vip” në Big Brother. Ok, biem dakord se brenda mund të jenë mashtrues, njerëz pa pikë formimi apo edhe njerëz të edukuar. Në fakt, për këtë realitet nuk na e ka fajin media. Pse?
Ju kujtoni se media sot ka qëllim informimin, argëtimin dhe edukimin? Joooo! Në plan të parë media ka qëllim vetëm fitimin, pasi është 100% biznes. Po! Nëpërmjet informimit, argëtimit, etj., media tërheq vëmendjen e audiencës dhe këtë audiencë më pas ia shet reklamës (bizneset dërgojnë reklamën aty ku ka shikueshmeri më shumë).
Media kërkon të ketë sa më shumë audiencë, ndaj për këtë media është tepër nuhatëse dhe shtron pyetjet “Çfarë i pëlqen kësaj audience? Çfarë e bën të qëndrojë përballë ekranit?„. Dhe ne na lënë para ekranit marrinat, antivlerat, njerëz që u peshon shumë pamja, por shumë pak truri. Pra media e bën këtë shumë mirë, sepse ne këto jemi. Ne jemi çfarë shohim.
Në media kemi raste kur ka vërtetë emisione me nivel që ke deshirë t‘i ndjekësh, por aty janë njerëz të shkolluar, ndërsa ne duam ato të shkalluarit. Media nuk ka asnjë ndryshim me një supermarket lagjeje. Pronari i supermarketit e furnizon dyqanin me çfarë ka nevojë lagjja, ndaj nuk kemi pse shajmë pronarin dhe supermarketin, kur ne jemi të etur të blejmë mallra të prishur dhe mallra fals të gatuara në bodrumet e politikës apo biznesit. /Nga Ardi HOTI, pedagog i Gazetarisë/