Shkodra ka nxjerrë gjithmonë figura të veçanta, nji prej tyne asht edhe Haxhi Hasan Sheh Shamia për të cilin dëshmojnë edhe konsujt e huej të shek. XIX. Haxhi Sheh Shamia e kishte xhaminë në lagjen Karahasë dhe mbahet mend kryesisht për dy gjana, së pari për nji akt që kreu në vitin 1854.
Atëbotë në Shkodër, mbas ndërrimit të menjihershëm të dy pashallarëve që sundonin vilajetin, spekullantat e drithnave rritën në mënyrë eksponenciale çmimet tue fitue nepërmjet kontrabandës me Malin e Zi. Ndër ta ishte edhe i jati i Haxhi Hasanit, Oso Alia dhe ortaku i tij Hysejn Kraja. Tue e pa popullin që po vdiste për bukë, shkruen eruditi Hamdi Bushati, Sheh Shamia i priu turmës së revoltueme drejt Pazarit dhe hapi ma së parit depon e grumbullimit të t’jatit e mandej edhe tjerat. Ky akt i kushtoi shumë pse u detyrue me ikë për disa kohë në Venedik, Francë, Spanjë dhe Egjipt.
E dyta gja për të cilën kujtohet dhe i njihet merita, asht përkthimi dhe këndimi i hytbes në xhami në gjuhën shqipe në vitin 1887. Në fakt ishte mundue me e ba këtë gja edhe ma parë por ishte pengue prej fanatikëve që s’e shihnin me sy të mirë.
Sheh Shamia u përpoq me çrranjosë edhe shumë bestytni si p.sh. ndezjen e qirave prej myslimanëve për festën e Shën Kollit, gatimin e hallvës në të 40-tat e vdekjes së nji personi, inkurajoi mbathjen e këpucëve të tipit europian, gja që asokohe mbahej si “gjynah”.
Gjana të ngjashme kundër bestytnive ndërmerrte edhe Kisha Katolike e cila për shembull e kishte ndalue pagzimin e fëmijëve që familjet myslimane ia kërkonin priftit si mbrojtje ndaj sëmundjeve apo përdorimin e amuleteve etj.
Duhet thanë se Sheh Shamia gjatë verës flente në teneshir, në dërrasën ku lahej i vdekuni, e dimnit shpeshherë në tabut. Nxanës i Daut Boriçit, ai kishte primje mistike dhe e mbante parasysh gjithnji mendimin e vdekjes dhe idenë e kalesës së rrugëtimit tokësor. /Publikuar në Facebook nga Ardian NDRECA/