“Në vitin 1860 cilitdo prej 8878 banorëve të Dervenit apo edhe të Tiranës – që asokohe numronte rreth 500 banorë ma pak se Derveni, për me pa kremtimet e karnavalit do t’i ishte dashtë me marrë rrugën – rreth 14 deri në 16 orë me kalë, mvarej prej rreshjeve të stinës – për me shkue në Shkodër.
Edhe 60-vjet ma vonë kur Tirana ishte ba kryeqytet gjendja s’kishte ndryshue, vetëm rruga, që tashma bahej me makinë, ishte shkurtue e ba rreth 9 orë, pak a shumë sa zgjatë tashti gjatë muejve të verës.
Për ata që s’kanë qenë të njoftuem deri tash: karnavalin s’e kanë shpikë shkodranët, e kanë marrë gadi prej venedikasve.
Në vitin 1936 piktori e artisti Kolë Shiroka (1900-1984) tentoi me e çue karnavalin në Tiranë, por sapo e panë e kapën dhe e çuen në polici si të dyshimtë. Jo të gjitha festat “njesin” kudo njilloj.
Shkodra ka pra rreth 163 vjet traditë karnavali, jo pak tue pasë parasysh se alfabetin e kemi tash 116 vjet, e edhe atë s’e kemi shpikë ne.
Në qoftë se dikush din me emna gjithë rendin e të parëve të vet për nji shekull e gjysëm themi se ka nji traditë e nji mbamendje të lakmueshme, e pra Shkodra e din që edhe para ma se nji shekulli e gjysëm ka qeshë e ka ba humor për karnaval.
Besoj se gazi e humori kanë me e ndihmue edhe sot Shkodrën, se kanë thanë të moçmit: “çka ndjell zogla…”.
Me këtë rast po kujtoj bejten që Lashi i Palokë Qorres nxori për italianin Giacomo Merighi i cili në vitin 1896 kishte ba nji balonë me “spirto” (alkool) me kosh dhe mbasi u çue për hava nja 200 metra nalt tue i habitë shkodranët iu këput konopi e u gorromis në Zall të Kirit e gadi sa nuk theu qafën. Me që ngjarja përkoi me karnavalin, nuk vonoi as bejtja për të:
N’Shkodër tonë bani vaki
Gjithë dynjaja doli jashtë
Për me pamun mrekulli
Jak Merigi njitet balonë.
Me shumë dije e marifet
Ndejt n’hava der n’mbramje vonë
E në Zall t’Kirit shtri u gjet
Mbasi bani laradasha
Nepër zall tue u shkapetë
Bereqavers qi i pshtoi rrashta
Dreqi e di ku kishte tretë”. /Nga Ardian NDRECA, publikuar në Facebook/