Shpeshherë kam dëgjuar shprehjen “A je i ramë n’Shkodër apo shkodran”? D.m.th a je i zbritur nga fshatrat përreth apo qytetar? Si ka kenë zotnia juej? Ta marrsha t’keqen!
Këto shprehje më bëjnë të kujtoj shumë gjëra, që Shkodra si qytet, gjithmonë ka patur interesimin e të tjereve per t’u bërë pjesë e këtij qyteti vibrant.
Qysh në vitin 181 para erës sonë Shkodra, ka qenë e njohur si Scodrinon, Kryeqyteti i Perandorisë Ilire.
Shkodra ka qenë një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë dhe njihet edhe si qendra e Katolicizmit Shqiptar, e kulturës dhe e harmonisë midis feve të ndryshme.
Gjithashtu Ajo njihet për historinë e murosjes së Rozafës në kështjellën e saj mahnitëse “Rozafa” dhe si dera hyrëse e Alpeve Shqiptare. Brenda Kalasë Rozafa gjenden rrënojat e një kishe katolike veneciane të shekullit XIII, e cilësuar nga studiuesit si Katedralja e Shën Stefanit.
Shkodra konsiderohet si kryeqyteti tradicional i Shqipërisë veriore, i quajtur Gegëria dhe shquhet për artin, kulturën, diversitetin fetar dhe historinë e hershme shqiptare.
Mes të tjerash marrëdhëniet e Vatikanit e Venecias me Shkodrën e shumë qyteteve evropiane e kanë vënë Shkodrën në qendrën e vëmendjes së civilizimit të kahershëm.
Shprehja “Ba me kenë shkodran t’tana i ban” ka të bëjë me kulturën e ndërthurur të shumë qyteteve evropiane që jepnin e merrnin me Shkodrën. Shkodranët ishin të shëtitur dhe të ditur. Marrëdhëniet veneciane me Shkodrën 1479-1552 ishin në kulmin e tyre. Shumë syresh edhe sot kanë pallatetet e tyre në Venedik. Po të vështrosh numrat e telefonave në Venecia një pjesë e madhe dalin me mbiemra Scutari. Lidhjet e Skënderbeut me Shkodrën dhe Venecian jane shumë të fuqishme pikërisht në vitet para se të vdiste heroi. Statutet e Shkodrës, Kodet shkodrane, ia vlen të lexohen e kuptohen thellësisht. Hapja e arkivave të Vatikanit po nxjerr dita ditës fakte mbi lidhjet shumë të forta që Shkodra kishte me shumë shtete evropiane.
Shume qytete në botë, 60 syresh, kanë emrin e Shkodrës në rrugët e tyre. Asnjë qytet Shqiptar nuk ka kaq emërtime rrugësh nëpër botë sa ka Shkodra.
Nëse shohim pikturat me pamjet mbi Bunën e Shkodrës antike, do të shohim anijet të cilat ankoroheshin në brigjet e qytetit. Deri vonë, Shkodër – det Adriatik ka qenë nyje lidhëse e gadishullit Ilirik për kalimin tregtar të zejeve të ndryshme. Sot Buna është e palundrueshme me detin Adriatik.
Shkodra ka humorin origjinal. Si e tillë nuk ia kurseu asnjë kalimtari thumbimin satirik të ngjizur deri në palcë te fëmijet e tyre.
Dasmat shkodrane tipike të bëra nëpër oborre dhe bahçe gumëzhinin nga hordhëku i humorit pa qedèr, bejteve pa mbetje hatri, me thumbime dashamirëse e qitje-pritje, kundra-thumbuese, por pa prekur moralin e shëndoshë qytetar.
Qytetaria e Shkodrës e ka thënë fjalën e saj me artin, me muzikën, me dijen, me shkencën.
Nese i referohemi muzikës, kompozitorët më të mëdhenj shqiptare dalin nga Shkodra.
Shkolla Franceskane e Tirolit, marrëdhëniet me Austro-hungarinë.
Shkodra kishte më shume piano se çdo qytet tjetër i Shqipërisë në vitet 1800 përfshirë edhe Korçën.
“Jaret”, ariet Shkodrane janë këngë qytetare të cilat këndohen edhe sot në koncerte dhe “da(r)sma”.
Të mos harrojmë kontributin e Kolë Idromenos në arkitekturën e Sarreqit antik, lagje e famshme shkodrane.
Orkestra frymore 1878 e Shkodrës, pjesëmarrës Kolë Idromeno dhe Palok Kurti, dhe shume orkestra mbas kësaj kohe.
Shtatë mrekullitë e Botës Shkodrane:
Arra e madhe, Kisha e Madhe, Kafja e madhe, Çinari i madh i Tophanës, Malësia e madhe, Rruga e madhe – nga teatri deri në fund, Derë e Madhe… të tjerat i dini vetë.
Urat – e Mesit, e Kirit, e Bahçallekut, e Bunës.
Një liqen, Dy Lumenj – Liqeni i Shkodrës, Drini dhe Buna me bashkim ne Shkodër, por derdhje në detin Adriatik.
Bahçet Shkodrane kishin rregullsi në mbjelljen e pemëve me sistem rrethuar me mure të larta guri.
Fiqtë- patllixhan, tivaras, shnjinza, llapadan (fiku më i madh që kam parë sa një dardhë e madhe)
Kumbullat – italiane, kosovare, ktambollit, kardalike, të zeza, të verdha, të vogla për hoshaf.
Rrush – rrojit, rrush i bardhë i 10 korrikut, perle, dorëzonje, çylek, i zi kokërrvogël (tempraninjo), rrush i verdhë italian me fara.
Manat – të bardhë e të zi kokërrmadh dhe një tjetër man i kuq i tharët nga Voskopoja.
Dardhat e vogla, e të mesme.
Shegët kokërrmëdha ngjyre vishnje.
Kimçat – hidet.
Reçel dhe marmalatë – fiku, kumbulle, trëndafili, mani, fiku të egër faroç
Të thatat – fiqtë pucaleca, kumbullat, manat e thatë. Futeshin në ujë me gëlqere përpara tharjes, pastaj viheshin në dërrasa për t’i tharë në diell.
Pekmez – lëng manash i shterruar.
Nerden – lëng domatesh i shterruar dhe më pas i tharë.
Sazerm – mish i zier i prezervuar me yndyren e vet, përdorej në dimër.
Uthull balsamike – e shterrun, manash dhe fiqsh.
Duhani i Taraboshit.
Gatim i famshëm – Tavë me Krap Shkodret.
Për më shumë, duhet të shkoni në Shkodër, për të marrë dozën e ëmbëlsisë e të komunikimit qytetar shkodran. Shkodra ka status të veçantë intelekti dhe integriteti dhe për këtë meriton respekt, vlerësim, dhe rivendosje të dinjitetit qytetar, të një qyteti që i ka dhëne më shumë Shqipërisë ndër shekuj.
Shpresoj që mendësia qytetare shkodrane të bëjë të mundur marrjen e fondeve për zhvillim, për vënien në vend të një padrejtësie shumëvjeçare kundrejt një qytetërimi që na ka dhënë kaq shumë e dashura jonë …..Shkodërlocja! /Nga Arens LEKA, publikuar në Facebook/